Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, Koçiu: 4050 dhurime vullnetare në këta 5 muaj
Sot, është Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, ndërsa kjo ditë vjen jo vetëm si një thirrje për ndërgjegjësimin ndaj nevojave për gjak të sigurt, por edhe si një falënderim për dhuruesit vullnetarë të gjakut.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu shprehet se 14 qershori na “kujton rëndësinë e këtij gjesti jetik që shpëton jetë dhe fal shpresë për mijëra njerëz në nevojë”.
Këtë vit, motoja e përzgjedhur është “Dhuro gjak, dhuro shpresë: së bashku shpëtojmë jetë”. Në një postim në rrjetet sociale, ministrja Koçiu falënderon çdo dhurues vullnetar që i cilëson “heronjtë e heshtur të përditshmërisë sonë”.
Sipas Koçiut, në vitin 2024 janë regjistruar 9665 dhurime vullnetare dhe 28557 familjare, ndërsa vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 4050 dhurime vullnetare dhe 8074 familjare.
Objektivat e fushatës për 2025 janë rritja e ndërgjegjësimit të publikut për nevojën kritike për dhurimin e gjakut dhe plazmës dhe ndikimin që ato kanë në jetën e pacientëve, inkurajimi i dhuruesve të rinj dhe ekzistues që të japin gjak rregullisht, nxjerrja në pah e ndikimit pozitiv të dhuruesve të gjakut në shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve nëpërmjet dhurimit të gjakut.
KOHA JONË SONDAZH

