Policia plan masash për Ditën e Verës në Elbasan, kufizohet qarkullimi në disa segmente
Policia e Elbasanit ka hartuar një plan të posaçëm masash për të garantuar mbarëvajtjen dhe sigurinë gjatë festimeve të Dita e Verës. Strukturat e Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan do të jenë në gatishmëri të plotë, me prezencë të shtuar në zonat ku zhvillohen aktivitetet, në akset kryesore rrugore dhe në hyrje-daljet e qytetit.
Më datat 13 dhe 14 mars pritet të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore, ndërsa për 48 orë do të bllokohet segmenti nga Elbasan Arena deri te rrethrrotullimi i “1 Majit”.
Gjatë këtyre ditëve ndalohet parkimi i mjeteve në qendër të qytetit dhe përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, ndërkaq, shërbimet e Policisë Rrugore do të jenë të pranishme për orientimin dhe devijimin e trafikut.
Për të shmangur trafikun dhe për të lehtësuar qarkullimin, mjetet do të orientohen drejt hapësirave të përcaktuara të parkimit, sipas drejtimeve nga vijnë në qytet. Konkretisht:
•mjetet që vijnë nga lindja (Ura e Bakallit), do të parkohen te Parku i Mallrave;
•mjetet që vijnë nga jugu (Kryqëzimi i Cërrikut), do të parkohen te Shkolla e Formimit Profesional dhe te parkimi i ri pranë varrezave publike;
•mjetet që vijnë nga perëndimi (Kryqëzimi i Luleve), do të parkohen te shkolla profesionale “Sali Ceka”, në afërsi të Doganës, si dhe në parkimin pranë stacionit të trenit.
Autobusët e linjës “Tiranë – Elbasan” do të stacionohen pranë Doganës, afër shkollës profesionale, ndërsa autobusët e linjës “Elbasan – Cërrik” do të stacionohen tek ish-ofiçina, në rrugën “Ura”, pranë tregut industrial.
Policia u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë Rrugore dhe rregullat e qarkullimit, për të garantuar zhvillimin e qetë dhe të sigurt të festimeve.

KOHA JONË SONDAZH

