Dixhitalizohen vërtetimet, së shpejti online, në çdo kohë dhe pa kosto
Me qëllim përmirësimin dhe modernizimin e shërbimeve si dhe rritjen e performancës së institucionit së shpejti Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ofrojë në platformën on line e-albania 9 shërbime shumë të rëndësishme për bizneset dhe qytetarët.
Kështu sipërmarrësit dhe individët do të mund të bëjnë kërkesë dhe shkarkojnë on line vërtetimet që lidhen me pagesën e detyrimeve, xhiro për 3 vitet e fundit, për përgjegjësitë tatimore, vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën), vërtetim për regjistrim të investitorit, për pagesën e kontributeve nga subjekti, për posedim mjeti, për individ të paregjistruar, si dhe për pagesën e kontributeve për individin
Për një pjesë të këtyre shërbimeve përgjigjja do merret në kohë reale dhe vërtetimi i ofruar në mënyrë elektronike do ketë firmë dhe vulë dixhitale. Qytetari ose tatimpaguesi do të logohet në portalin e-Albania me kredencialet e tij (emër përdoruesi dhe fjalëkalim) dhe do të zgjedhë shërbimin që i nevojitet.
Implementimi i këtij projekti ka rëndësi dhe ndjeshmëri të lartë pasi ndihmon si institucionin ashtu edhe qytetarët në minimizimin e kohës së ofrimit dhe marrjes së shërbimeve. Burime zyrtare të DPT-së thonë se institucioni është i angazhuar maksimalisht në lehtësimin e procedurave për të ofruar në çdo kohë dhe me sa më pak kosto shërbim cilësor për çdo tatimpagues.

Së shpejti sipërmarrësit dhe individët do të mund të bëjnë kërkesë dhe shkarkojnë on line vërtetimet si më poshtë:
Vërtetim për pagesën e detyrimeve
Vërtetim xhiro për 3 vitet e fundit
Vërtetim për përgjegjësitë tatimore
Vërtetim statusi (aktiv, pasiv përfshirë datën)
Vërtetim për regjistrim të investitorit
Vërtetim për pagesën e kontributeve nga subjekti
Vërtetim për posedim mjeti
Vërtetim për individ të paregjistruar
Vërtetim për pagesën e kontributeve për individin

