Djallëzia Rama, Referendumi nuk kalon
Aktualitet E Diel, 2 Maj 2021 01:02
Pasi kërkoi falje për ligjin e plehrave që Partia Demokratike miratoi në vitin 2011, Lulzim Basha tha se PD do të dorëzonte një kërkesë për referendum në Kuvendin e Shqipërisë për të rrefuzuar ligjin që Rilindja sapo miratoi. “Nesër kërkesë në Kuvend nga grupi i PD për referendum për ndalimin. Shqiptarët ndihen të tradhëtuar, një tufë mafiozësh duan të kthejnë plehrat. Unë dal plotësisht kundër ligjit të vitit 2011. Mbështesim plotësisht protestën e thirrur nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave” tha Basha. Por për çudinë e të gjithëve Rama që dikur kërkonte referendum, madje i ndihmoi aktivistët e shoqërisë civile të mblidhin 65 mijë firma, tani ironizon rivalin e tij politik. “Tani qe Luli kapi flamurin e luftes me rrezikun imagjinar kuptohet kollaj se ne ç’kazan fshihet lepuri i rrenës per ligjin tone mbi mbetjet”.
Por tallja e Ramës me Bashën nuk lidhet vetëm me ndryshimin e qëndrimit të liderit demokrat. Ajo ka të bëjë edhe me një vështirësi teknike që e shtyn për në kalendat krege mundësinë e një plebishiti popullor që do ti thoshte jo mbëritjes së plehrave në Shqipëri. Sikur proceduarat për referendumin të fillonin që nesër, ashtu sikurse ka shpallur lideri demokrat në rastin më të mirë ky kalvar do të zgjaste më shumë sesa një vit.
Analisti Afrim Krasniqi ka bërë një llogari të përafërt se kur mund të zhvillohet ky referendum: “Ligjërisht referendumi është i mundur, por shumë larg entuziazmit aktual. Konkretisht, nëse ligji dekretohet nga Presidenti dhe publikohet në Fletoren Zyrtare, (me siguri, Presidenti do mendohet shumë përpara firmës ose rikthimit në Kuvend), do të duhet të pritet edhe një muaj kohë. Më pas sipas Kodit Zgjedhor mund të ketë një komision nismëtar adresuar KQZ për referendumin. Brenda 20 ditëve KQZ kthen përgjigje dhe nëse e miraton, komisioni autorizohet të mbledhë 50 mijë firmat e kërkuara. Për mbledhjen e firmave duhen të paktën dy muaj (edhe nëse opozita investohet me strukturat e saj horizontale), më pas dokumentacioni shkon në KQZ. Ky i fundit ka 90 ditë në dispozicion të marrë vendim mbi vlefshmërinë ligjore te dokumentacionit, pra nëse gjithçka shkon mirë, vendimi i KQZ merret në mars-prill 2017. Vendimi i kalon Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit ka edhe 60 ditë të tjera në dispozicion për vlerësimin e tij, pra deri në maj-qershor 2017.
Viti 2017 është vit elektoral për Presidentin dhe Parlamentin. Referuar nenit 119 të Kodit (2003, ende në fuqi në pjesën për Referendumet) “asnjë referendum kushtetues ose i përgjithshëm nuk mund të zhvillohet datën e zgjedhjeve për Kuvend ose për organet e qeverisjes vendore”, si dhe “nuk mund të zhvillohet referendum kushtetues ose i përgjithshëm gjatë periudhës nga gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, deri tre muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri”. Pra, edhe nëse procedurat merr miratimin nga KQZ, nga 50 mijë zgjedhës dhe nga Gjykata Kushtetuese, nuk mund të ketë referendum deri 90 ditë pas mbledhjes së Kuvendit të ri, pra 90 ditë pas javës së parë të shtatorit 2017. Në këto rrethana, nëse gjithçka shkon mirë, atëherë rasti më i parë për referendum mund të jetë dhjetori 2017, pra më shumë se 14 muaj nga e sotmja”
Pra kuptohet lehtë se përse Edi Rama, ka zgjedhur këtë moment për të miratuar ligjin. Shumëkush e quajti atë një gafë politike kalimin e tij 8 muaj para zgjedhjeve. Por në fakt kryeministri ka llogaritur mirë gjithçka. “Interesat financiare të mafias” sipas flalëve të tij, e kanë detyruar që ta kalojë ligjin në një kohe që ai as nuk mund të neutralizohet nga një “JO” e mundshme e votës popullore(Lapsi.al)
KOHA JONË SONDAZH