Dosja “Kokaina”, trafikantët fiknin telefonat kur i afroheshin Elbasanit

Grupi i trafikut të kokainës, që u godit nga policia 1 javë më parë, është treguar mjaft i kujdesshëm për të humbur gjurmët dhe për t’i shpëtuar ndjekjeve të mundshme policore.

Burime nga Prokuroria thanë për median, se pasi kishin identifikuar lidhjet shoqërore dhe mjetet e personave të dyshuar, u urdhërua ndjekja në terren e tyre. Policia mësoi nga përgjimet se bashkë me modifikimin e një mjeti për të transportuar drogën e fortë, grupi kriminal komunikonte vazhdimisht dhe nga bisedat konfirmohej se po punohej ende, për të bërë gati lëndën narkotike.

Agjentët e policisë u ngarkuan të ndiqnin mjetet e të dyshuarve, Sajmir Batku e Ermal Hoxha, të cilët udhëtonin shpesh nga Tirana drejt Elbasanit së bashku me 2 kolumbianët e arrestuar tashmë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por këto burime shtojnë se trafikantët i fiknin telefonat që kishin në përgjim sapo i afroheshin Elbasanit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Madje, agjentët në terren kanë nënvizuar në raportet e tyre të vëzhgimit se të dyshuarit ndryshonin shpesh rrugën dhe futeshin në rrugica, para se të mbërrinin në fabrikën në Xibrakë.

Policia mësoi pas ndjekjes së pandërprerë të trafikantëve, se droga nxirrej në sasi të vogla nga laboratori dhe dërgohej në vende të ndryshme, gati për tu dërguar kryesisht në Gjermani.

Policia shqiptare arrestoi 10 persona për trafikun, ndërsa Genci Xhixha është shpallur në kërkim.

Ndërsa 3 persona, 2 prej të cilëve me shtetësi shqiptare e me nënshtetësi gjermane, janë në kërkim nga autoritetet gjermane.

Gjatë ndërhyrjes u kapën mbi 110 kg kokainë dhe 20 kg përzierës kokaine, sasia më e madhe e drogës së fortë kapur ndonjëherë në Shqipëri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?