Drejtori i burgut të Fushë Krujës, “selfie” nga spitali pas atentatit: Jam mirë

Drejtori i burgut të sigurisë së lartë të Fushë Krujës, Arben Suloj po rikuperohet në spitalin e Traumës, pasi i shpëtoi një atentati me eksploziv një ditë më parë në Durrës. Për të falënderuar të gjithë miqtë dhe të afërmit e tij për mbështetjen dhe për t’i siguruar ata se tashmë ndihet më mirë, Suloj ka publikuar në faqen e tij në “Facebook” një selfie nga krevati i spitalit. “Jam mirë. Flm për mbështetjen të gjithëve.”- shkruan drejtori i burgut të Fushë Krujës.
ATENTATI
Arben Suloj mbeti i plagosur rëndë në një atentat me eksploziv ishte duke shkuar në punë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, në afërsi të terminalit të kontenierëve në portin e Durrësit. Shpërthimi i fuqishëm ka ndodhur në automjetin tip “Opel” me targa AA 654 AS që drejtohej nga 45-vjeçari, ndërsa ishte në lëvizje e sipër. Atentati me telekomandë ndodhi në një nga zonat më të sigurta të Durrësit, sikurse është porti detar që ka Forcë Sigurie, polici Kufitare dhe Migracioni dhe Kapiteneri, vetëm 150 metra larg godinës së SHISH-it të këtij qyteti. Si pasojë e shpërthimit, Suloj ka pësuar plagë të rënda, ndaj është dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku mori ndihmën e parë mjekësore dhe më pas u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Mjekë të këtij spitali pohuan se fatmirësisht, kreu i burgut të Fushë-Krujës ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shpërthimi me eksploziv ka alarmuar blutë e qytetit bregdetar dhe Policinë e Shtetit, të cilët po hetojnë intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pas kryerjes së hetimeve paraprake, janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 9 persona, ndërsa dyshohet se atentati ka ndodhur për shkak të detyrës. Ndërkohë, vetë Suloj ka deklaruar në Spitalin e Durrësit se “nuk e di kush mund të ketë qenë autori, pasi nuk kam konflikte personale me askënd”.

SHKARKO APP