Drejtori i Policisë, Skënder Hita takon partnerët ndërkombëtarë. Forcohet aleanca me Europol-in
Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zhvilloi takimin e parë me partnerët ndërkombëtarë, me delegacionin nga Qendra për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në EUROPOL (ESOCC). Delegacioni kryesohej nga Andy Kraag, Drejtues i Qendrës kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në EUROPOL. Gjatë takimit, Hita dhe Kraag vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Policisë së Shtetit dhe Europol-it, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Hita siguroi përfaqësuesit e delegacionit për angazhimin dhe vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Ai theksoi se vetëm nëpërmjet bashkëveprimit të ngushtë dhe pa barriera mund të arrihen rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.
Kraag uroi Drejtorin e Përgjithshëm për detyrën dhe garantoi mbështetje të pakushtëzuar nga Europol për Policinë e Shtetit, në drejtim të shkëmbimit të informacionit për goditjen e krimit të organizuar, krimeve në fushën e narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve dhe krimeve kibernetike, duke zhvilluar hetime proaktive dhe operacione të përbashkëta me Europol-in dhe vendet anëtare të tij.
Gjithashtu, në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e implementimit të strategjisë së re të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar 2026-2028, si dhe Projekti Analitik HROCG, i cili përfshin identifikimin, profilizimin dhe ndjekjen e grupeve kriminale më të rrezikshme në nivel ndërkombëtar, analizën e rrjeteve kriminale, shkëmbimin e inteligjencës, si dhe koordinimin e operacioneve të përbashkëta për goditjen e tyre. Ky projekt synon rritjen e kapaciteteve hetimore dhe operacionale, si dhe ndërhyrjen e sinkronizuar ndaj aktiviteteve kriminale ndërkufitare.
KOHA JONË SONDAZH

