Dritëhijet e amnistisë penale, që nga mungesa e listës zyrtare nga burgjet. Kurse ILD nis verifikimet

A po shoqërohet apo jo me dritëhije ligji i amnistisë penale që u bë i zbatueshëm prej 24 prillit dhe që solli lirimin e përmbi 730 të burgosurve? Kësaj pikëpyetjeje po përpiqet t’i japë përgjigje inspektori i lartë i drejtësisë, Artur Metani, i cili përmes kësaj shkrese ka kërkuar informacion nga burgjet nëse gjyqtarët i kanë dorëzuar apo jo në kohë vendimet e zbardhura, dhe nëse prokurorët i kanë deleguar urdhrat e ekzekutimit për lirimin e të burgosurve.

Top Channel mëson se dy të burgosura, Dhurata Saliaj, e dënuar për sigurim mjetesh për vrasjen e ish-bashkëshortit dhe Anxhela Kaca, ndonëse përfitojnë nga amnistia, nuk janë liruar ende për shkak të mos zbardhjes së vendimeve për bashkimin e dënimeve. Kjo çështje po inspektohet edhe nga Avokati i Popullit.

Zbatimi i ligjit ka shfaqur problematika të diktuara nga sjella e magjistratëve dhe për këtë arsye këto problematika janë duke u ndjekur nga ILD njofton në shkresë kryeinspektori Artur Metani. Ky është vetëm një nga problemet e amnistisë.

Ende nuk ka zyrtarisht një konkluzion se kush përfiton nga amnistia si i dënuar me shërbim prove dhe kjo jo vetëm për shkak të transparencës. Po ashtu, mungon lista zyrtare e të burgosurve që fituan nga amnistia si dhe atyre të dënuarve që iu ulet dënimi.

Prokuroritë nuk kanë një listë se sa është numri i dosjeve që pushohen, vetëm SPAK ka bërë bilancin dhe rezultojnë 80 persona të hetuar nga SPAK dhe të dënuar nga GJKKO që përfituan nga amnistia. Në një artikull të titulluar “Rrjeta e çarë e amnistisë”, lirimi i zyrtarëve që ishin hetuar nga SPAK duke nisur nga ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj u denoncua nga Investigative Network Albania. /TCH/

SHKARKO APP