Durrës, shkon në 440 numri i familjeve të dëmtuara nga përmbytjet

440 familje janë të dëmtuara nga përmbytjet e së mërkurës së kaluar në Durrës. Në ambientet e Shtëpisë së Pushimit të MB-së janë strehuar 31 persona, anëtarë të disa familjeve.

Të tjerë familjarë të akomoduar në këto ambiente shprehen se nuk e dinë kur mund të kthehen në banesat e tyre.

Prefekti i Qarkut të Durrësit, Emiljan Jani thotë se ende nuk ka një bilanc të vlerës së dëmeve dhe se shkaktar veç reshjeve të dendura është dhe hedhja e mbetjeve në kanalet e ujërave të larta.

Pas përfundimit të verifikimeve në terren, shtabi i emergjencave njofton se familjet e dëmtuara nga përmbytjet, që nuk janë përfshirë në proces, mund të kërkojnë verifikim pranë njësive bashkiake, pasi numri i të prekurve rezulton më i lartë se vlerësimet fillestare.

SHKARKO APP