Durrsaku publikon video seksi me të dashurën për ta kërcënuar për lekë. Arrestohet

 

Një 21-vjeçar ka shfrytëzuar videot e xhiruara në momente intime me të dashurën e tij për t’i bërë asaj presion me qëllim që t’i merrte një shumë parash. G. B. prej rreth një muaji kërcënonte të dashurën e tij A.K, 20 vjeçe, studente në të njëjtin Universitet se do t’i hidhte fotot në Youtube nëse ajo nuk i jepte atij 1 milion lekë të vjetër. Pas shantazheve të 21-vjeçarit, e reja u paraqit dy ditë më parë në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Durrës për të kryer denoncim. “Pas denoncimit policia vendosi të kryejë kapjen në flagrancë të studentit. Denoncueses iu dhanë 1 milion lekë të vjetër me qëllim që ajo t’ia dorëzonte të dashurit dhe në këtë moment do të ndërhynte policia”-thanë burimet nga Komisariati i Durrësit. Të rinjtë u takuan dje në ambientet e një lokali në qytetin bregdetar dhe në momentin që po dorëzoheshin paratë e shantazhit, policia ndërhyri duke kryer arrestimin në flagrancë të G.B..

Shantazhi

G.B. dhe 20-vjeçarja ishin njohur rreth një vit më parë në ambientet e Universitetit ku vazhdojnë studimet e larta.

Ata kishin krijuar një lidhje dashurie, por rreth një muaj më parë mes çiftit kishte pasur një krizë. “Nuk e dija se çfarë po ndodhte mes nesh. Ai nuk donte të vazhdonte më lidhjen, por unë u trondita kur ai më kërkoi t’i jepja 1 milion lekë të vjetër pasi në të kundërt do të postonte në Youtube disa video ku shfaqem unë në çaste intime. Ky shantazh nisi rreth një muaj më parë dhe përgjatë kësaj kohe ai më dërgonte mesazhe kërcënuese” mësohet të ketë thënë në polici 20-vjeçarja nga Skrapari. Në periudhën që kishin qenë sëbashku, dy të rinjtë kishin realizuar video në çaste intime, të cilat ishin regjistruar me telefonin celular të studentit 21-vjeçar.

 

“Në fakt, G. ka disa video që unë jam xhiruar në momente intime. Ato janë bërë me telefonin celular të tij dhe ai i ka ruajtur. Ai ishte i dashuri im dhe unë i besoja, ndaj dhe e lejova të më xhironte. Megjithëse më kishte premtuar se videot do t’i fshinte, një gjë e tillë nuk ndodhi. Pikërisht me këto video ai më ka kërcënuar për një muaj me qëllim që unë t’i jap 1 milion lekë të vjetër. Vendosa t’i merrja borxh diku këto para dhe t’ia jepja, por nuk kisha besim tek ai. Dyshoj se pasi të merrte paratë ai do të vijonte sërish me shantazhe për të më kërkuar shuma të tjera parash. Nuk isha më e sigurt se videot nuk do të përfundonin në Youtube apo në rrjetet sociale edhe nëse do t’i jepja lekët që kërkonte, ndaj dhe kërkova ndihmën e policisë” u shpreh studentja, para oficerëve të policisë së Durrësit.

Arrestimi

Pas regjistrimit të denoncimit, policia është vënë në lëvizje për kapjen e studentit 21-vjeçar. Burime nga policia thanë se vajza u këshillua që të takohej me G.B. për t’i dhënë paratë. “Policia i dha vajzës shumën e parave të kërkuara nga i dashuri i saj dhe në momentin që do të kryhej dorëzimi do të ndërhyhej për kapjen e tij”- thanë burimet policore. E reja ka rënë dakord me policinë dhe i telefonoi të dyshuarit, duke lënë edhe vendin e takimit për të dorëzuar paratë. Çifti u takua në ambientet e një lokali në Durrës dhe, në çastin që studentja po i jepte paratë 21-vjeçarit, efektivët e policisë kryen kapjen e tij. “G. B. u izolua menjëherë në ambientet e policisë ndërsa iu sekuestrua telefoni celular. Ai dispononte në celular video të vajzës me anë të të cilave i bënte shantazhe për t’i marrë 1 milion lekë të vjetër.

Gjithashtu në celularin e tij u gjetën edhe mesazhet kërcënuese të cilat ai ia kishte nisur denoncueses gjatë një muaji”-thanë më tej burimet policore. I arrestuari Në dëshminë e tij dhënë para efektivëve blu, i arrestuari G. B. mohoi akuzat, duke u shprehur se gjithçka ishte një lojë që ai e kishte sajuar për t’u afruar me vajzën pasi mes tyre kishte pasur një zënkë, e cila i kishte ndarë për disa ditë. Pretendimi i dhënë nuk e ka shpëtuar 21-vjeçarin nga prangat, pasi policia bëri të ditur se ai u kap në flagrancë. Mësohet se studenti nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike.(Express) 

SHKARKO APP