DW: Rriten shqetësimet për Kabulin, SHBA shton numrin e ushtarëve
Talibanët islamistë po përparojnë gjithnjë e më shumë duke marrë radhazi provincat afgane në kohën që SHBA largohet. E ka radhën tani Kabuli?
Për shkak të marshimit të vazhdueshëm të talibanëve militantë-islamistë në Afganistan do ta reduktojnë në minimum personelin e ambasadës së tyre në javët e ardhshme. Përveç kësaj do të vendosen aty edhe 3000 ushtarë shtesë për të siguruar aeroportin e Kabulit dhe mbështetur tërheqjen e personelit. Këtë e bëri të ditru Departamenti Amerikan i Shtetit. Trupat do të jenë breda 48 orësh në vend, thuhet nga Uashingtoni.
Pa besim tek talibanët
Në të njëjtën kohë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price siguroi, se ambasada në Kabul do të mbetet e hapur. “Nuk bëhet fjalë për evakuim. Nuk bëhet fjalë për një tërheqje të plotë.” Sipas Price, SHBA do të vazhdojë punën e saj diplomatike. Talibanët kanë thënë qartë, se nuk kanë ndërmend të sulmojnë institucionet diplomatike. Por ne nuk do të mbështetemi tek fjalët e një grupimi si ai i talibanëve. Për këtë arsye po marrim “masa të kujdesshme.”
SHBA duan të largohen nga Afganistani deri në fund të gushtit. Në vend do të mbeten disa qindra ushtarë, për të mbështetur ambasadën amerikane. Aeroporti në Kabul deri më tani është siguruar më shumë nga ushtarët turq në kuadër të misionit të NATO-s, por aty ndodhen edhe ushtarë amerikanë. Kur SHBA vendosi largimin nga Afganistani në vend gjendeshin 2500 ushtarë. Ndërkohë është tërhequr 95% e ushtarëve. Bundeswehri dhe ushtarë të vendeve të tjera të NATO-s janë larguar ndërkohë.
Në fillim të javës presidenti Biden e mbështeti tërheqjen e trupave. Afganët duhet “luftojnë vetë për vendin e tyre”, tha Biden. Trupat e tyre janë ushtarakisht më të fuqishme se talibanët, por ata “duhet edhe të duan të luftojnë”, tha ai. Të enjten ra në duart e talibanëve dhe qyteti i tretë, Herat. Sipas të dhënave të tyre talibanët kanë pushtuar edhe Kandahrin, qytetin e dytë më të madh të vendit, dhe Ghanin, 150 km larg Kabulit.
Një zëdhënës i islamistëve deklaroi në negociatat në Doha, se marrja e shpejtë e qyteteve tregon, se populli i mirëpret talibanët. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, bashkësia ndërkombëtare nuk do të njohë një qeveri të re afgane, nëse ata e marrin pushtetin me dhunë. Me këto tone është shprehur edhe i ngarkuari i BE për politikën e jashtme, Josep Borrell. Nëse talibanët e marrin pushtetin me dhunë dhe shpallin një emirat islamik atëherë bashkësia ndërkombëtare nuk do t’i njohë. “Ata do të vuajnë izolimin e nuk do të kenë mbështetje ndërkombëtare”, paralajmëroi Borrell.