Dy orë e gjysmë bisedime mes Papës dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit
Papa takon Rubion: ripohon impenjimin për paqen dhe për marrëdhënie të mira me SHBA-në
“Kam kënaqësi t’ju shoh përsëri. Ka kaluar pothuajse një vit!” “Një ditë më pak… Jo, dhjetë ditë!”
Këto ishin batutat që shkëmbyen Papa Leoni XIV dhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në Vatikan. Më pas, “biseda e përzemërt” në Sekretarinë e Shtetit me kardinalin Pietro Parolin, gjatë së cilës, siç thuhet në një deklaratë të Selisë së Shenjtë, “u rinovua impenjimi i përbashkët për të kultivuar marrëdhënie të mira dypalëshe midis Selisë së Shenjtë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Gjithashtu, nota e Vatikanit njofton për “një shkëmbim pikëpamjesh mbi situatën rajonale dhe ndërkombëtare, me vëmendje të veçantë për vendet në luftë, për tensionet politike dhe për situatat e vështira humanitare, si edhe për nevojën që të punohet pa u lodhur për paqen”. Lidhur me këto pika të fundit, Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë shpjegon se, ndërmjet zonave të konfliktit të përmendura, ishin vendet e Afrikës dhe të Lindjes së Mesme, veçanërisht Libani dhe Irani, por edhe Kuba – në këto ditë tensionesh të forta me Shtetet e Bashkuara – për të theksuar nevojën e mbështetjes së popullit kuban.
Takim pas një viti
Rubio dhe Papa u takuan më 19 majin e vitit të kaluar—i pranishëm edhe Zëvendëspresidenti J.D. Vance—një ditë pas meshës, që shënonte fillimin e shërbesës pjetrine. Papa iu referua pikërisht këtij takimi kur tha, “…dhjetë ditë më pak!” Sot, ata u takuan përsëri, në prag të përvjetorit të parë të papnisë së tij dhe në ditët pas kritikave të presidentit Donald Trump kundër Leonit XIV, të cilave vetë Papa iu përgjigj të martën mbrëma në Castel Gandolfo.
Vatikani është etapa e parë e vizitës së Marco Rubios në Itali, ku ai mbërriti në aeroportin Ciampino. Ai do të takohet edhe me kryeministren italiane Giorgia Meloni në Palazzo Chigi, së bashku me ministrat Tajani dhe Crosetto.
Autokolona mbërriti në Oborrin e Shën Damazit në Vatikan, mes masave të rrepta të sigurisë dhe zhurmës së helikopterëve mbi Via della Conciliazione krejtësisht të zbrazët. Rubio u prit nga prefekti i Familjes Papnore, imzot Petar Rajic, i cili, duke i shtrënguar dorën, i tha: “Mirë se vini në Vatikan!” Rubio shoqërohej nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Selinë e Shenjtë, Brian Burch. Ndërsa ai mbërrinte në Vatikan, dilte kryeministri polak Donald Tusk, pasi ishte takuar me Papën.
Bisedimet në Sekretarinë e Shtetit
Pas Papës, Rubio u prit në zyrën e Sekretarisë së Shtetit nga kardinali Parolin, i shoqëruar nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Duke folur me gazetarët gjatë paraqitjes së një libri LEV në Augustinianum, Parolin parashikoi që takimi do të trajtonte çështje ndërkombëtare dhe të tjera. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nga ana e tij, publikoi një deklaratë duke vënë në dukje se gjatë audiencës me Papën, “janë marrë në shqyrtim përpjekjet humanitare në hemisferën perëndimore dhe përpjekjet për të arritur një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Bisedimet vunë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm ndërmjet SHBA-ve dhe Selisë së Shenjtë në promovimin e lirisë fetare”. Gjithashtu, Uashingtoni bën të ditur se është i kënaqur nga mbërritja e nuncit të ri apostolik në SHBA, imzot Gabriele Giordano Caccia.
Audienca e sotme me Papën përfundoi me një fotografi të Papës me delegacionin dhe me shkëmbimin e dhuratave. Ndërmjet tyre, nga ana e Rubio, dallohej një top prej kristali i lojës regbi.
“Ju jeni tifoz bejsbolli”, i tha Rubio Papës, duke shpjeguar se dhurata mbante vulën e Departamentit të Shtetit dhe duke shtuar me shaka: “Çfarë mund t’i japësh dikujt, që tashmë ka gjithçka?” Leoni XIV i dhuroi librin e apartamenteve të audiencave në Pallatin Apostolik, vëllimin me fotografi të Kapelës Sikstine dhe një stilolaps prej druri ulliri: “Ulliri”, theksoi ai, “është pemë e paqes”
Autokolona e Rubios u largua nga Vatikani, pas dy orë e gjysmë bisedimesh.
KOHA JONË SONDAZH

