Dy tonë drogë në Mat/ Zbulohet kontrata e qirasë “për të mbjellë hashash”
2 ton e 55 kilogramë është sasia e kanabisit e sekuestruar gjatë operacionit “kontejner” në fshatin Reth Baz të Matit, në një aksion gjatë fundjavës që lamë pas, përkatësisht të dielën. Duket se strategjia kombëtare antikanabis, po jep efektet e para dhe pritet që në javët në vijim, operacione të tjera të zbulojnë vende, ku fshihen tonelatat me kanabis.
Në Dibër, lënda narkotike u gjet e futur në thasë në një tunel të braktisur të ushtrisë dhe tek një kontejner në vendin e quajtur “Shullani i Vilës”. Në pranga lidhur me këtë aksion të policisë, ka rënë Adreja Gjinajn, person që kishte marrë me qira sipërfaqen prej 5 dynymësh, ku ishte mbjellë kanabisi. 50 mijë lekë të reja në muaj për dynym.
Kjo ishte vlera e qirasë që merrte 37- vjeçari E.D i shpallur tashmë në kërkim për sipërfaqen 5 dynymësh që ishte mbjelle me lëndë narkotike në rrethin e Matit. Grupi hetimor ka gjetur dhe një kontratë noteriale mes pronarit dhe të arrestuarit, lidhur me një pagesë qiraje të tokës prej 250 mijë lekësh në muaj.
Në bazë të kësaj kontrate u bë edhe prangosja e 33-vjeçarit. Përballë efektivëve të policisë, ai ka pranuar se lënda narkotike ishte mbjellë dhe magazinuar nga ai, por nuk ka thënë se, ku është fshehur pronari duke pohuar se nuk ka informacione. Policia thotë se ka shpallur në kërkim një tjetër person, i cili kishte rolin e organizatorit, por nuk ka bërë publik identitetin e tij për shkak të hetimeve. Dyshimet e policisë janë se droga do të trafikohej jashtë vendit dhe pjesë të grupit mund të jenë disa persona.
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat është duke verifikuar edhe rolin e punonjësve të policisë lokale për ta parë nëse mbajnë përgjegjësi në këtë rast, pasi ka pasur edhe shkarkime në Komisariatin e Matit si të përfshirë në këtë kultivim të kanabis- sativa. Policia ka shpallur gjithashtu në kërkim pronarin e ligjshëm të tokës, shtetasin E.D, 37 vjeç, i cili i ka lëshuar me qira tokën e tij shtetasit të arrestuar, Andreja Gjinaj, 33 vjeç, banues në fshatin Rrethë Baz, Mat.
Lidhur me këtë operacion, Policia e Shtetit është shprehur se: “Në kuadër të këtyre kontrolleve më datë 02.04.2017, në vendin e quajtur “Shullani i Vilës”, në fshatin Rrethë Baz, Mat, policia gjatë kontrollit në një tunel dhe në një kontejner në tokën e marrë me qira nga shtetasit Andreja Gjinaj, janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike e pa përpunuar, dega, kërcell e gjethe të bimës narkotike, e futur nëpër thasë. Nga kontrolli i ushtruar në tunel u gjetën dhe u sekuestruan 73 thasë, ndërsa në kontejner u gjetën 139 thasë të mbushur me lëndë narkotike të papërpunuar. Gjithashtu, po gjatë kontrollit të ushtruar, policia gjeti në brendësi të kontejnerit edhe një armë zjarri kallashinkov”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ” Prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake dhe municionit” neni 283 e 25 si dhe 278 /1 të Kodit Penal.
Redjon Shtylla

