E fejuara në gjyq: Ju rrëfej lidhjen time me Julian Sinanajn

Julian Sinanaj, i cilësuar si vrasës me pagesë në të ashtuquajturën “banda e tritolit” është përballur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda me të fejuarën e tij, D.Ç. Vajza, e cila u thirr nga prokuroria për të dëshmuar në procesin ndaj Sinanajt dhe të pandehurve të tjerë, ndaj të cilëve rëndojnë akuza tejet të rënda, i ka shpjeguar me detaje trupës gjyqësore, njohjen e saj me Julian Sinanajn. “Julianin e kam njohur nëpërmjet një shoqes time.

Ma prezantoi dhe krijuam një lidhje. Unë i kërkova fejesë dhe Juliani pranoi të prezantohej me familjen time. Nuk jetonim bashkë, por në fundjavë vija në Tiranë, pasi isha pushim nga shkolla”, tha vajza. Përgjatë afro 30 minutave të dëshmisë së saj, që e vuri përballë të fejuarit dhe të pandehurve të tjerë, vajza ka shpjeguar se nuk ka patur dijeni se Juliani ishte i përfshirë në ndonjë aktivitet kriminal. “Isha në dijeni se kishte jetuar disa vite nëGreqi.

Që kishte prindër të divorcuar e që kishte punuar atje në një ‘fast food’”, është shprehur D.Ç. Sipas të fejuarës Juliani nuk ishte i punësuar këtu në Shqipëri, por, ajo nuk ka mundur të japë një përgjigje të qartë, se me çfarë të ardhurash jetonin.

Dëshmitarja i tha trupës gjyqësore, se për aktivitetin kriminal, që dyshohet i përfshirë Juliani është vënë në dijeni vetëm pas arrestimit të tij. Ndërsa është shprehur se nuk njihte asnjë prej miqve të tij. D.Ç, e dha dëshminë në një seancë me dyer të mbyllura, për shkak se Gjykata e Krimeve të Rënda, ka vendosur të “kyçë” dyert e këtij procesi, me arsyetimin se dëmtohen të dhënat hetimore, për çështje dhe persona të tjerë, që vijojnë të jenë nën hetim për krime të rënda.

Në vijim të seancës gjyqësore, përballë trupës gjyqësore kanë dalë vëllai dhe babai i D.C, të fejuarës së Sinanajt, të cilët në thelb të dëshmisë së tyre, kanë thënë se Julianin e njihnin si djalë të rregullt, por kurrsesi nuk kishin dijeni për lidhjet e tij me krimin.

SHKARKO APP