E ngatërruan me një tjetër, fieraku mbahet gabimisht për 36 ditë në burg
Gjykata e Fierit ka liruar nga qelia Dhimitraq (Mikel) Ramën. Ky i fundit është arrestuar gabimisht, duke u ngatërruar me një person tjetër që kërkohej nga drejtësia italiane për trafik droge.
Rama u mbajt 36 ditë në burg, për një krim që nuk e kishte kryer.
Ai kishte këmbungulur me forcë që kur u arrestua, se nuk ishte personi që kërkohej për ekstradim nga autoritetet italiane. Edhe avokatët e tij pretenduan se klienti i tyre nuk ishte personi i duhur.
Ndaj Mikel Ramës gjykata e Milanos kishte lëshuar më 24 tetor të 2018-ës, një urdhër arresti ndërkombëtar. Autoritetet italiane kanë dërguar edhe materialin idetifikues, ku nga krahasimi i fotografive dallohet qartë se bëhet fjalë për persona të ndryshëm, ndërsa nuk korrespondon as data e lindjes.
Në dosjen e mbërritur nga Italia ndodhen edhe gjurmët e gishtave. Mbi këto të dhëna, oficeri Niko Kurti e ka arrestuar më 25 shtator të 2019-ës.
Dhimitraq Rama ngulte këmbë se të dhënat e tij mund të jenë përdorur nga dikush tjetër, pasi vite më parë ai ka humbur mjetet e identifikimit, shkruan “Shqiptarja.com”.
Edhe pse konstatoi se ndërmjet fotove kishte ndryshim shumë të madh, Gjykata e Fierit e la në burg për 40 ditë Ramën, derisa të kryhej ekspertimi i fotografive dhe gjurmëve të gishtave.
Pas kryerjes së ekspertimeve gjyqtarja Igerta Hysi me kërkesë të prokurorit Andi Pogaçe, dha urdhër për lirimin nga qelia të Dhimitraq Ramës.
Ky është një rast shumë i rëndë, që duhet të trajtohet në rrugë gjyqësore nga personi, të cilit i është shkelur një nga liritë themelore.