Edi Rama flet për median në Beograd: Ja qëndrimi mbi planin e Kosovës për të paditur Serbinë për gjenocid

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka konsideruar një “marrëzi më vete” idenë e “Shqipërisë së Madhe”, duke u shprehur se ajo nuk ka ekzistuar kurrë.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Rama ka shprehur rezervat e tij ndaj planit të Kosovës për të paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocid.

“Para së gjithash, duhet të dini një gjë. Shqipëria e Madhe nuk ka ekzistuar kurrë në gjuhën tonë dhe nuk është një trillim që kam gjetur në librat tanë të historisë ose në disa mendime dhe trashëgimi të mendjeve tona të mëdha. Shqipëria e Madhe është një term që ka origjinën jashtë Shqipërisë dhe është inkurajuar nga ata që dëshironin të krijonin një përbindësh të rrezikshëm, i cili natyrisht do të ishte shqiptar i rrezikshëm. Shqipëria e Madhe është marrëzi më vete”, tha Rama mbi idenë e “Shqipërisë së madhe”.

Lidhur me padinë për gjenocid kreu i qeverisë tha se nuk duhet të vazhdohet të humbet kohë duke mos e zgjidhur konfliktin.

“Së pari, kjo është një çështje shumë e komplikuar në aspektin e përmbajtjes ligjore. Së dyti, unë mendoj dhe e kam thënë publikisht, në bisedime dhe po jua them edhe juve, ne duhet të fokusohemi tek zgjidhja e këtij konflikti dhe tek e ardhmja. Dhe ne duhet të mendojmë më shumë se sa vite mund të vazhdojmë të humbim duke mos zgjidhur këtë konflikt. Nuk ka fitues pa zgjidhje. Gjenocid është një fjalë shumë mirë e përkufizuar në arkitekturën juridike të njerëzimit dhe mendoj se do të ishte jo një iniciative që do të sillte rezultate, që do të ndihmonte paqen dhe bashkëpunimin, por është një vendim i pavarur i tyre dhe jo i imi apo i shqiptarëve”, tha Rama.

I pyetur nëse do ta mbështeste padinë në rast se Kosova ia kërkon një gjë të tillë, Rama ka sugjeruar se pala kosovare, pavarësisht së drejtës autonome për të vendosur, duhet më parë të ndjekë një shteg konsultimesh me aleatët dhe partnerët e saj.

“Ne kemi qenë shumë të qartë, më shumë se njëherë. Parlamenti shqiptar ka miratuar shumë rezoluta në historinë e tij dhe gjëja e fundit për të thënë, dhe është shumë e rëndësishme, është se ne nuk jetojmë në një botë ku jemi të vetëm. Ndaj kemi partnerë dhe aleatë. Vetë Kosova është një realitet i ri që është rezultat i përpjekjeve madhore brenda dhe jashtë Kosovës. Ndaj kjo lloj ideje madhore apo vendime madhore nuk duhet të merren vetëm pse dikush mendon  ashtu, por duhen marrë përmes një shtegu të qartë konsultimesh dhe duke dëgjuar partnerët dhe aleatët dhe deri më sot nuk kam dëgjuar askënd të mbështesë këtë ide. E kam fjalën për partnerët dhe aleatët”, shtoi ai.

I pyetur mbi mini Shengenin, Rama tha se preferon ta quaj Shengen rajonal “një hapësirë në të cilën ne të gjithë mund të zbatojmë katër liritë evropiane, ndërkohë që, individualisht, kemi rrugën tonë drejt integrimit evropian”.

Kreu i qeverisë tha se shpresonte që Shqipëria dhe Serbia të mund të ndiqnin shembullin e Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore për bashkëpunim.

Në fund të intervistës së tij kryeministri i Shqipërisë i ftoi serbët që të vijnë dhe të vizitojnë Shqipërinë.  “Ejani të na vizitoni, ejani të shijoni bregdetin tonë, të takoni njerëz. Sepse atë që njerëzit mund të bëjnë, asnjë politikë ose strategji nuk mund të arrijë në drejtim të afrimit të vendeve, përmes njohjes dhe mirëkuptimit,” tha Rama.

SHKARKO APP