
Një incident është regjistruar pasditen e së martës në Bazën Ajrore të Kuçovës, ku një efektiv është plagosur me armën e shërbimit gjatë kryerjes së detyrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:46. Efektivi, i identifikuar me inicialet E.D., ka marrë një plagë në shpatull, ndërsa pas incidentit i është dhënë menjëherë ndihma e parë.
Fillimisht, ushtaraku është transportuar në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjendja e tij paraqitet e qëndrueshme, me parametrat jetësorë brenda normës dhe pa rrezik për jetën.
Për shkak të nevojës për trajtim të mëtejshëm, efektivi është nisur drejt Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.
Policia Ushtarake ka nisur verifikimet në vendngjarje për të dokumentuar incidentin dhe për të përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi plagosja.