Ekskluzive:Të gjitha versionet e atentatit ndaj Shullazit

Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani, dy 36 –vjeçarët që mbetën të plagosur lehtë në atentatin e ndodhur mbrëmjen e të hënës në mbikalimin e Kasharit, u lanë sot të lirë. U dyshuan fillimisht se kishin shkëmbyer zjarr me atentatorët. Por grupi hetimor nuk gjeti prova që i implikonte ata. Për atentatorët nuk ka asnjë gjurmë. Ndërsa policia po kërkon prova e detaje që mund të çojnë në identifikimin e tyre, mbetet ende e paqartë dinamika e ngjarjes.

A ka lidhje ajo me atentatin e ndodhur brenda një harku të shkurtër kohor në rrugën e Kavajës ku u plagos një i njohur i Shullazit apo përkimi i tyre kohor është vetëm rastësi?

Policia e përjashton këtë. Në njoftimin e saj zyrtar flitet për dy ngjarje të ndryshme, të ndara nga njëra – tjetra. Sipas komunikatëës, atentati ndaj Pajtim Serjanit ka ndodhur 10 minuta më vonë se ai ndaj Shullazit.

Ky version është i ndryshëm nga ai që u tha dje. Në komunikatën e policisë, të shpërndarë këtë të martë për mediat, sqarohet se atentati në Qafë Kashar, ku mbeti i plagosur Emiliano Shullazi, ka ndodhur në ora 19.30 (komunikata e policisë/ poshtë). Pra sipas këtij versioni Shullazi nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen tek rruga e Kavajës, pasi plagosja e tij dhe e Gilmando Danit në Qafë Kashar i ka paraprirë vrasjes së Arianit Sterjos.

Versioni i djeshëm i policisë nuk është zyrtar. Ajo nuk shpërndau ndonjë komunikatë. Por gazetat e sotme Panorama dhe Mapo i referohen një versioni tjetër të policisë, që është shpërndarë mbrëmë jo zyrtarisht. Edhe sipas tij, Emiliano Shullazi nuk ka qenë pjesmarrës në shkëmbimin e zjarrit tek rruga e Kavajës, por arsyeja që jepet në versionin e djeshëm është tjetër. Sipas asaj që u tha dje, rendi kronologjik i ngjarjeve ka qenë tjetër.

Policia mohon të ketë dhënë ndonjë version mbi të dyja ngjarjet mbrëmjen e shkuar.Ajo sqaron në komunikatën e sotme zyrtare se fillimisht ka ndodhur shkëmbimi i zjarrit në qendër të Tiranës dhe më pas ai në Qafë Kashar.

Gjithësesi, në të dy variantet, si në të djeshmin edhe në të sotmin, pavarësisht ndryshimit të kronologjisë dhe orës kur kanë ndodhur ngjarjet, një gjë është e sigurtë: sipas policisë Shullazi nuk ka qenë prezent në momentin e vrasjes.

Mirëpo dyshimet se Shullazi mund të jetë përjashtuar me qëllim nga ngjarja e rrugës së Kavajës i shton ish –kryeministri Sali Berisha. Ai thotë se Shullazi është mik për kokë i Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri dhe akuzon policinë se me udhër të Tahirit mashtroi sot me komunikatën për shtyp, duke deklaruar se përleshjet e mbrëmshme nuk lidheshin me njëra – tjetrën. 

Dyshime për një lidhje të Tahirit dhe të vetë kryeministrit Rama me njërën nga bandat që u përplas tek rruga e Kavajës hedh edhe Partia Demokratike.

“Efektivi policor, pjesë e kësaj përplasjeje bandash, është aty me dijeninë dhe miratimin e Ministrit (Tahiri), është aty për të shërbyer favoret politike” –thotë Partia Demokratike në një deklaratë të saj, teksa i kërkon prokurorisë të hedhë dritë mbi të vërtetën.

Deklarata e PD –së nuk e përmend lidhjen e Ministrit Tahiri me Shullazin, siç bën Berisha, por thotë se efektivi i policisë që vrau atentatorin 42 –vjeçar Arjanit Sterjo, që kishte vënë në shënjestër Pajtim Serjanin, ishte aty me udhër të Ministrit për të mbrojtur bandën kriminale. Berisha e lidh direkt grupin e Serjanit me Shullazin kur thotë se Tahiri po manipulon informacionin për fshehur të vërtetën se dy ngjarjet ishin të lidhura me njëra – tjetrën.

Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani kanë deklaruar se po ktheheshin për në Tiranë nga Fushë Kruja ku kishin qenë për arsye personale, duke përjashtuar çdo implikim në ngjarjen e rrugës së Kavajës. Makinën tip Golf 4 në të cilën u qëlluan, thanë se ia kishin marrë një mikut të tyre, Sh. Berishës, nga Rrashbulli i Durrësit, i cili e kishte atë në emër të babait, Tahir Berisha. Edhe Sh. Berisha ka treguar të njëjtin version në polici.

Këtij versioni i ka besuar edhe prokuroria që i la të lirë Emiljano Shullazin dhe Gilmando Danin.

Komunikata e policisë

1.Më datë 05.01.2015 rreth orës 19.40, në rrugën e Kavajës në Tiranë, është vrarë si pasojë e një shkëmbimi zjarri, shtetasi Arjanit Sterio Alias, 42 vjeç, banues në Tiranë.

Paraprakisht, dyshohet se viktima ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistoletë shtetasit : Pajtim Xhevahir Serjani, 32 vjeç, Denis Reshat Ramani, 28 vjeç, Ditmir Dilaver Reçi, 33 vjeç dhe Roland Besnik Meta, 37 vjeç, ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale.

Fillimisht, është plagosur në pjesën e këmbës shtetasi Pajtim Serjani, i cili menjëherë pas ngjarjes  është transportuar për në Spitalin Universitar Tiranë.

Ndërkohë, gjatë këtij shkëmbimi zjarri ka ndërhyrë punonjësi i policisë Roland Meta, ku më pas sulmi ka vijuar duke mbetur i vrarë shtetasi Arjanit Sterio dhe është plagosur rëndë punonjësi i policisë Roland Meta. Nga një analizë e hollësishme e bërë, lidhur me veprimet dhe mosveprimet e punonjësit të policisë është bërë dhe arrestimi në flagrancë i tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 – copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 9mm, 3 -copë gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 mm, një armë zjarri pistoletë m-54, një armë zjarri Bereta si dhe automjeti me targë AA417 KU.

Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të « Vrasjes me dashje ». Ndërkohë që po vijojnë hetimet dhe për çdo ecuri do t’ju informojmë.

2.Më datë 05.01.2014 nga Seksioni Kundër Akteve Terroriste në Policinë e Tiranës, filloi proçedimi penal dhe punohet për kapjen e autorëve, pasi mbrëmë rreth orës 19.30, në fshatin Bërxullë Tiranë, në afërsi të mbikalimit Kashar, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasit Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, të cilët përgjatë momenteve të ngjarjes po udhëtonin me automjetin e tyre, tip Golf 4, me targë AA629HR.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Hajdar Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Nesim Dani, 36 vjeç, të cilët janë ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Në vendin e ngjarjes, u formua grupi hetimor të cilët kryen veprimet e para hetimore, duke mbledhur dhe administruar provat në vendngjarje dhe sekuestruar disa gëzhoja.

Materialet hetimore ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbatje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/dh, 22 dhe 278/4 i Kodit Penal.(marra nga lapsi.al)

SHKARKO APP