Elisa Spiropali i përgjigjet Gazment Bardhit në Kuvend: Më vjen mirë që më ndiqni…

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka replikuar me kryetarin e grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në Kuvend.
“Më vjen mirë që më ndiqni hap pas hapi, z.Bardhi, në aktivitetin tim në rrjetet sociale, por po ju informoj që, siç diskutuam në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të datës 9 qershor, seanca nga data 12 në datën 16 qershor nuk u shty për arsye të pjesëmarrjes sime në Samitin “Evropë Juglindore-Ukrainë”, por sepse shumë deputetë mungonin për shkak të pjesëmarrjes në aktivitete të tjera.
Ishte lehtësisht e zëvendësueshme prezenca ime këtu me dy nënkryetarët e nderuar, z.Çuci e z.Gjekmarkaj, por në bazë të nenit 7, pika 1 të Rregullores, Kryetari i Kuvendit, ka për detyrë të kujdeset për mbarëvajtjen e seancave plenare dhe që veprimtaria të jetë e plotë dhe të sigurojë kushte që të gjithë deputetët të jenë pjesëmarrës në seancë.
Unë nxorra urdhrin për këtë seancë plenare me vështirësi, t’iu them të drejtën, sepse ka vetëm 1 pikë, 1 çështje në rend të ditës sot, një projektligj, komisionet as ishin mbledhur dhe nuk kishin kourumin e nevojshëm për të diskutuar projektligje të tjera. Mund të mos ishte zhvilluar as kjo seancë sot, kështu që ju bëj thirrje të gjithë deputetëve të marrin në pjesë në komisione dhe të jenë pjesëmarrës aktivë.
Sa i takon pjesëmarrjes së Shqipërisë në Samitin e organizuar nga Presidenti Zelenskyy në Odesa, në Ukrainë, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të Europës Juglindore, mos kini asnjë merak. Shqipëria u përfaqësua në nivelin më të lartë dhe më të mirë të mundshëm z.Bardhi, dhe këtë e them pa modesti fare.
Kështu që vazhdoni më ndiqni në rrjetet sociale”, ka thënë Spiropali në replikën e saj.