Epidemia e ’59-ës, kapi mbi 400 vetë…
Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kampit-burg të Thumanës (i njohur ndryshe si Reparti 309), ku vuanin dënimin me qindra të burgosur politikë që punonin për tharjen dhe bonifikimin e asaj kënte, ku në vitin 1959 dhe fillimin e viteve ’60-të, ranë disa epidemi sëmundjeje, si ajo e Skorbutit, Zgjebes, Turbekulozit dhe Dizanterisë, nga e cila u preken përkatësisht rreth 400 deri 500 të dënuar. Dëshmia e rrallë e njërit prej të burgosurve të atij kampi, Mark Alisë, lidhur me ato sëmundje që bënin kërdinë në atë kamp-burg me komandant Vangjel Rrëmbecin nga Korça, ku për të gjithë ata të sëmurë që ishin prekur nga ato sëmundje, kishte vetëm pesë shtretër në Inferminë e burgur ku shërbente, si mjek i dënuari poltik Mahmut Menko (i denuar me 20 vjet burg, me origjinë nga fshatrat e Korçës dhe i diplomuar në Janinë), i cili nuk kishte medikamente mjkesore dhe komanda u thoshte të dënuarëve që t’u kërkonin familjeve të tyre ushqime që përmbanin vitaminën C.
“Sëmundja e Skorbutit që ishte një epidemie e vërtetë për numrin e madh të dënuarve që preku, pra rreth 400 të burgosur, vinte nga kequshqyerja dhe mungesa e Vitaminës C, e cila shkaktonte dobësimin e mishrave të dhëmbëve dhe si pasojë, na binin dhëmbët një nga një. Por kjo ishte gjysma e së keqes, pasi kur na binin dhëmbët ne të dënuarit nuk mund të konsumonim atë ushqim mizerje që ishte aty dhe kjo ishte një torturë nga më të tmerrshmet, pasi nuk ka më keq se vuajtja e urisë për një njeri. Siç thashë kjo sëmundje bëri kërdinë tek ne, duke zënë rreth 400 të dënuar dhe pa asnjë lloj mjekimi, pasi ajo që quhej Infermeri, ishte një barakë e veçuar ku kishte vetëm pesë shtretër”. Kështu e kujton ish-i burgosuri politik, 81 vjeçari Mark Gjon Alia, epideminë e sëmundjes së Skorbutit e cila ra në kampin-burg të Kenetës së Thumanës (ose siç njihej ndryshe si Reparti 309) në vitin 1959, e cila sipas tij preku rreth 400 të burgosur që vuanin dënimin aty.
Në këtë intervistë. Z. Alia na rrëfen për Memorie.al lidhur me epidemitë e sëmundjeve të Skorbutit, Zgjebes, Dizanterisë dhe Turbekulozit që ranë në ato vite kur ai vuante dënimin pranë atij kampi-burg, duke na përshkruar edhe gjendjen dhe kushtet e tij, etj.
Zoti Mark, para se t’ju pyesim dhe të flasim lidhur me epidemitë që kanë rënë në kampin-burg të Thumanës, fillimisht na tregoni kur dhe përse u arrestuat ju?
Unë jam arrestuar për tentativë arratisje së bashku me dy shokë të mij, (Javer Hoti dhe Rustem Berisha) më 24 prill të vitit 1958, pasi na kapën diku afër Shkodrës dhe na sollën në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës prej nga varej asokohe administrativisht Mamurrasi ku banonim unë me dy shokët e mij.
Perse vendosët që të arratiseshit dhe sa vjet ju dënuan?
Siç ju thashë pak më lart, unë që në moshën 17 vjeçare punoja si ndihmës me një grup specialistësh dhe inxhinierësh hungarez me në krye Borç Lazlo që punonin për projektimin e bonifikimit dhe tharjes së kënetës së Thumanës, ku ju mbaja latat, (instrumenet) dhe çantat, ju sillja ujë, bukën e çdo gjë tjetër që atyre ju duhej. Në bisedat e ndryshme që ata bënin, flisnin hapur edhe me mua kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës, pasi ata ishin antikomunistë dhe lavdëronin vëndet perendimore dhe jetën që bëhej atje. Si të thuash kjo ishte dhe shtysa e parë që pata unë për t’u arratisur nga Shqipëria, gjë të cilën siç ju thashë nuk e realizuam dot, pasi na kapën dhe pas disa kohë hetuesie në Degën e Brendëshme të Krujës, na nxorrën në gjyq dhe na dënuan fillimisht mua me 10 vjet burg politik me akuzën “për tradhëti ndaj atdheut mbetur në fazën e përgatitjes për t’u arratisur jashtë shtetit” dhe me konfiskim pasurije e heqjen e të drejtës elektorale për pesë vjet. Këtë dënim na e la në fuqi edhe Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë në Tiranë që u mblodh me datën 11 qershor të atij viti dhe pas marrjes së dënimit na dërguan në kampin e Thumanës ku kishte filluar puna për tharjen e kënetës. Pra, ndërsa si punëtor i lirë kisha punuar me specialistët dhe inxhinierët hungarezë që projektuan veprat ujore për bonifikimin e tharjen e asaj kënete, tashti si i burgosur më dërguan ta zbatoja atë projekt.
Si e kujton kampin e Thumanës dhe kur u hap për herë të parë ai kamp të burgosurisht?
Kampi-burg i Thumanës quhej “Reparti ushtarak 309” dhe ai u vendos në vitin 1958, pasi u zhvendos nga Tërbufi, ku të dënuarit politik kishin punuar për tharjen e kënetës me të njëtin emër në fushën e Myzeqesë. Pra i gjithë kampi, me të dënuar dhe policë e ushtarë që kishte qenë në Tërbuf, u zhvendos aty në Thumanë, pasi pak a shumë do të bëhej e njëjta punë që ishte bërë në Tërbuf. Barakat apo siç u thoshim ne, kapanonet e kampit ku do sistemoheshin të dënuarit politikë, u ngritën diku në vëndin e quajtur “Kroi i sertë”, që ndodhet fare afër lumit të Drojës në fshatin Bushnesh, dhe ato u ndërtuan me dërrasa të mbuluara me katrama. Aty ishim rreth 750 të burgosur politik, të ndarë në brigade pune, ndërsa ushtarë dhe policë që na ruanin, ishin rreth 150 vetë që bënin shërbim brenda dhe jashtë rrethimit me tre palë tela me gjëmba që kishte kampi rreth e rreth. Por numri i të burgosurve lëvizte, pasi aty vazhdonin të sillnin dhe hera herë kalonte dhe mbi 1000 apo 1300 vetë të dënuar, gjë e cila na e bënte jetën akoma dhe më të vështirë aty.
Kush ishte komandant i atij kampi dhe në çfarë kushtesh jetonit e punonit aty?
Komandant i kampit ishte major Vangjel Rrëmbeci (me origjinë nga Korça) i cili para se të vinte aty kishte qenë komandant i Burgut të Burrelit. Kushtet në atë kamp ishin të mjerushme, duke filluar nga higjena që nuk dua ta kujtoj se është turp ta shkruash. Po kështu ushqimi që pothuaj nuk vihej fare në gojë, pasi përveç 700 gram bukë misri që na jepnin si racion ditor, ajo që quhej gjellë, bëhej me presh e lakra dhe gatuhej me një lloj margarine që ua kishin kapur gjermanëve në depot e tyre në vitin 1944 para se ata të largoheshin nga Shqipëria. Pra ai ushqim që gatuhej aty, pothuaj nuk vihej fare në gojë dhe po të mos ishin familjet tona që na sillnin ushqim, ne do të kishim vdekur urije apo do të ishim kthyer në kufoma të gjalla. Por desha të shtoj se edhe ai ushqim, u jepej të burgosurve vetëm në rast se realizonin normën që ishte 17 metër kub dhe në ditë, pra duhej të bëje punën që të merrej ushqimi.
Cila ishte puna që kryenit aty?
Puna që bënim ishte një torturë më vete, pasi një i burgosur duhet të hapte një kanal duke zhvendosur 17 metër kub dhe, apo më saktë baltë e lluce se ashtu ishte i gjithë vëndi aty kënetë dhe moçalishte. Dhe në rast se nuk e realizoje normën, nuk të jepej ushqimi dhe të fusnin në birucë si dënim për mos realizim norme. Puna ishte një tmerr i vërtetë si në dimër që ishte shumë i ashpër ku kishte ngrica dhe shpesh na duhej të thyenim akullin që të hapnim kanalin, po ashtu dhe vera ishte e nxehtë e na piqte dielli. Mjetet e vetme të punës ishin lopata, bela, kazma dhe karroca e dorës.
A kishte të burgosur që nuk e realizonin normën apo të tjerë të sëmurë që nuk mund të punonin dhe si veprohej me ta?
Kishte shumë që nuk e realizonin normën nga pamundësia fizike dhe ata u nënshtroheshin rregullave të komandës duke u futur në biruca me dënime të ndryshme që varionin deri në një muaj por dhe më shumë për përsëritësit. Edhe të sëmurë kishte shumë dhe ata i linin në atë gjëndje në infermeri dhe i dërgonin në spitalin e Tiranës, kur e shikonin se ata ishin në gradë të fundit. Pra ata i dërgonin në spital në Tiranë kur ishin afër vdekjes, në mënyrë që të mos vdisnin aty në kamp dhe të krijohej panik.
Me që jemi në këtë situatë epidemie, deshëm t’ju pyesnim po gjatë asaj periudhe që ju keni qenë në atë burg, a ka pasur raste epidemie?
Ka pasur disa epidemi dhe i mbaj mënd shumë mirë, pasi vuajtjet që kemi kaluar kur kanë rënë ato epidemi, nuk harrohen lehtë. Fillimisht ato epidemi kanë rënë që nga viti 1959 që kam shkuar unë aty për herë të parë por dhe më pas, si p.sh., epidemia sëmundjes së Skorbutit, Zgjebes, Turbekulozit dhe e Dizanterisë nga të cilat janë prekur me qindra të burgosur që ishim duke vuajtur dënimin aty.
Nga se binin ato epidemi?
Ato binin vetëm nga papastërtia që mbizotëronte tek të gjithë të dënuarit, pasi ne jetonim aty në kushte mizerje, pasi përveç mungesës së ushqimit dhe kushteve skandaloze të fjetjes etj., që u thashë pak më lart, aty ku mungonte dhe uji që ishte me pikatore. Mungonte uji si për të pire ashtu dhe për t’u lare, pasi nuk kishim as dushe dhe as banja. Pra kushtet e mjerushme ku ndodheshin ne dhe trajtimi çnjerëzor që na bëhej, ndikonin të prekeshim nga ato sëmundje që shkonin deri në epidemi, si p.sh. ajo e vitit 1959-të, ku sëmundja e Skorbutit bëri kërdinë, duke kapur më shumë se 400 të dënuar që ishim aty.
Nga se vinte ajo sëmundje dhe si bëhej për tu vizituar dhe mjekuar një numër aq të madh personash të dënuar?
Sëmundja e Skorbutit që ishte një epidemi e vërtetë për numrin e madh të dënuarave që preku, pra rreth 400 të burgosur, vinte nga kequshqyerja dhe mungesa e vitaminave, sidomos e vitaminës C, e cila shkaktonte dobësimin e mishrave të dhëmbëve dhe si pasojë, na binin dhëmbët një nga një duke na u mbushur goja gjithë gjak. Por kjo ishte gjysma e së keqes, pasi kur na binin dhëmbët ne të dënuarit nuk mund të konsumonin atë ushqim mizerje që ishte aty dhe kjo ishte një torturë nga më të tmerrshmet, pasi nuk ka më keq se tortura e urisë për një njeri. Siç thashë kjo sëmundje bëri kërdinë tek ne, duke zënë rreth 400 të dënuar dhe pa asnjë lloj mjekimi, pasi ajo që quhej Infermeri, ishte një barakë e veçuar ku kishte vetëm pesë shtretër.
Po mjekë sa ishin aty në kampin-burg të Thumanës?
Aty ishte vetëm një mjek, Dr. Mahmut Menko, me origjinë nga Korça që ishte i dënuar si dhe ne (i burgosur politik me 20 vjet), i cili kishte vetëm një stetoskop që na vizitonte dhe disa aspirina apo ndonjë ilaç tjetër që na i jepte vetëm kur na priste fletë shtrimin për në infermeri dhe ishim regjim shtrati. Sepse kështu ishin rregullat e Komandës së Burgut. Për raste të rralla na bënin ndonjë gjilpërë, në menyre që të mos mungonim në pune, pra që të realizohej norma ditore. Pra çdo gjë bëhej në funfksion të normës.
A ishte vërtet mjek ai, pra kishte mbaruar Universitetin për Mjeksi?
Jo, Mahmuti kishte mbaruar studimete larta për Mjeksi në kohën e Monarkisë së Zogut në Janinë. Nuk më kujtohen mirë gjera të tjera rreth jetës së tij, pasi atëhere unë kam qenë fare i ri, 17-18 vjeç dhe nuk më binte rasti të bëja muhabet me Dr. Mahmutin, edhe pse ai ishte një njeri mjaft human, tepër i sjellshëm dhe respektohej nga të gjithë të dënuarit.
Po si bënte ai mjek i vetëm për t’ju vizituar dhe mjekuar rreth 400 të burgosur që ishit prekur nga sëmundja e Skorbutit, apo epidemia siç thoni ju, apo vinin mjekë nga Tirana?!
Nuk vinte asnjë mjek nga Tirana. Njëherë në vit vinte mjeku i Ministrisë së Brendëshme nga Tirana dhe jo për të na vizituar ne, por për të marrë satistikat sa të dënuar kishin vdekur dhe për çfarë arsyesh e sëmundjesh kishte ardhur vdekja e tyre. Pra vetëm për punë statistikash dhe ajo bëhej jo më shumë për shëndetin dhe jetën e të dënuarave, por më shumë për arsye dokumentacioni nga ana ekonomike, pra rakordime dokumentacioni për sa të dënuar gatuhej.
Si bëhej për të vizituar dhe mjekuar 400 të dëbuar të sëmurë nga Skorbuti?!
Asgjë nuk bëhej, pasi Dr. Menko na vizitonte dhe na priste fletë-shtrimin si të prekur nga Skorbuti, ne kishim të drejtë të rrinim në regjim shtrati në kapanonet tona me dërrasa pa dalë në punë.
Po për mjekim…?
Për mjekim as që bëhej fjalë, pasi nuk kishte medikamente mjeksore dhe nisur nga kjo gjë, komanda na tha t’u shkruanim letra familjeve që të na binin ushqime që kishin vitaminën C., por familjet e të dënuarëve polik ashtu si dhe pjesa tjetër e popullsisë, ishin në një gjëndje tepër të varfër dhe mezi siguronin ushqimet për veten e tyre. Mbaj mënd se në atë kohë që ra epidemia e Skorbutit, familjet tona na sillin fiq të thatë dhe shegë të egra apo të buta si t’i gjenin, pasi thuhej se ato kanë vitamin C. Ato ne i përtypnim pa pasur nevojën e dhëmbeve që s’i kishim dhe me to mbanim frymen.
Gjatë asaj epidemie, a kishte të dënuar që humbën jetën aty?
Po ka pasur, plot ka pasur fatkeqësisht dhe emrat e tyre ne që shpëtuam gjallë nga ai ferr, i kemi bërë publike në shtyp dhe në libra që kemi shkruar pas viteve ’90-të. I kemi të gjithë emrat e tyre dhe këto ndodhen edhe në dokumentet zyrtare për marrjen e dëmshpërblimit etj. Por desha të them se nga ana e komandës së kampit-burg të Thumanës, përdorej një metodë diabolike, për të fshehur numrin e atyre që humbnin jetën aty nga sëmundjet, pasi ato që vdisnin nga aksidentet, nuk mund t’i fshinte dot.
Konkretisht, çfarë?
Të dënuarit e sëmurë që vuanin aty nga sëmundje të ndryshme apo dhe ato epidemi, i mbanin aty në kamp deri në momentin e fundit dhe kur e shikonin se ishin të pashpresë, pra në gradë të fundit, atëhere i merrnin dhe i dërgonin në Spitalin e Burgut në Tiranë, ku dhe ata vdisnin dhe ne nuk merrnim vesh gjë. Raste të rralla kur na vinte ndonjë në takim nga familja dhe me zë të ulët na tregonte për ndonjë bashkëpatriotin tonë që kishte vdekur në burg, pasi as në letra s’guxonte të shkruante njeri për të burgosurit që vdisnin. Pasi jo vetëm që ato letra hapeshin nga Komanda dhe nuk na i jepnin, por quhej “agjitacion e propaganda” dhe dënohej familjari që i shkrunate. Njerzit tanë i dinin këto dhe nuk shkruanin dhe as na bënin të tilla bisedash në ato pak minuta takim, dhe kështu që ne nuk merrnim vesh asgjë se ç’kishte ndodhur me bashkëvujatësit tanë që kishin humbur jetën në Spitalin e Burgut në Tiranë, pasi as trupat nuk u jepeshin familjes pa plotësuar dënimin edhe si i vdekur.
Po epidemitë e tjera që thatë si të Turbekulozit, Zgjebes dhe Dizanterisë si i kujton?
Këto epidemi kanë rënë pas vitit 1960-të që unë isha ende aty në burg, por ndryshe nga ajo e Skorbutit, këto ishin sëmundje ngjitëse dhe nga këto kemi vuajtur më shumë duke kaluar një tmerr të vërtetë.
Sa të dënuar prekën këto epidemi dhe sa kohë zgjatën ato?
E them me përgjegjësi morale se afër 400-500 të dënuar mund të jenë prekur prej tyre dhe ato epidemi zgjasnin me disa muaj. Nuk ka pasur satistika të sakta, por rreth asaj shifre vërtitet, pasi kujtoj kapanone të tëra që mbusheshin me regjim shtrati nga të dënuarit që rënkonin pa mjekimet e nevojshme.
A kujton ndonjë nga bashkëvuajtësit tuaj në atë kamp?
Patjetër, kujtoj shumë edhe pse kanë kaluar më shumë se 60 vjet që nga ajo kohe, kujtoj Rexh Metën, një funksionar të lartë të kohës së Zogut që kishte punuar në Ministrinë e Financave, i cili punonte si skarpatist, pra ai bënte nivelimin e skarpatës së kanalit që hapnin të burgosurit. Kujtoj Miço Pilon nga Saranda, i cili kishte studjuar në “Zosiema” të Janinës dhe ishte diplomuar në Athinë ku dhe kishte punuar si jurist. Ai ishte dënuar me 25 vjet burg politik. Tjetër njeri që kujtoj, ishte Ceno Vermishi, ish-major i regjimit komunist që ishte i burgosur politik si ne dhe vuante dënimin aty, por ndryshe nga ne, Ceno dhe shumë të tjerë si ai, pra ish-oficerë apo të tjerë që kishin qenë me detyra dhe funksione të ndryshme në regjimin komunist, aty punonin si brigadier apo në vënde të zgjedhura që quheshin vënde pune të privilegjuara. Pra dhe aty në burg kishte diferencim dhe atyre si Cenua, komanda u thoshte hapur: “Ju jeni tanët”.
Po përveç atyre shtëpive, ku punuan të burgosurit e kampit pasi mbaroi tharja dhe bonifikimi i kënetës së Thumanës?
Pasi mbaroi bonifikimi i kënetës së Thumanës, kampi i të burgosurve u zhvendos në fshatin Gjorëm të Laçit, apo më saktë në fshatin Sanxhak që ndodhet vetëm 3 km. larg qytetit të Laçit që në atë kohë ishte vetëm një fshat i vogël me disa shtëpi, ku ne të burgosurit punuam për ndërtimin e banesave të kampit të ri, ku do banonin oficerët. Po kështu në atë kohë, të burgosurit politik të Kampit të Gjormit, ndërtuan dhe 12 pallatet e para në qytetit të Laçit ku u sistemuan edhe familjet e para që populluan në atë kohë dhe më pas atë qytezë ku vetëm 3 km. më larg, në anën very-perendimore të tij, një kamp tjetër i të burgosurve, (që ishte zhvendosur nga kampi i Rubikut), punoj për disa vjet me rradhë për ndërtimin e Uzinës së Superfosfatit, e cila u inagurua me bujë të madhe nga udhëheqja e lartë e PPSH-së në vitin 1967, ku morrën pjesë pesë a gjashtë anëtarë të Byrosë Politike. Ndërsa të burgosurit e Kampit të Gjormit, pas ndërtimit të atyre 12 pallateve të qytetit të Laçit, punuan shumë edhe për disa vjet për ndërtimin e hapjen e një kanali vaditës që vinte nga Miloti dhe vazhdonte në Gjorm e Mamurras dhe uji që sillte ai, përdorej për vaditjen e të gjithë fushës bujësore në anën perendimore të tij.
Kur u liruat nga burgu dhe ku u sistemuat me punë?
Unë u lirova nga burgu më 2 qershor të vitit 1963 dhe pas disa ditësh shkova në qytezën e Laçit ku ishte themeluar prej disa kohësh Ndërrmarrja e Ndërtimeve Industriale, e cila përveç disa veprave industriale siç ishte Uzina e Superfosfatit, ku siç thashë ndërtohej nga të burgosurit politikë, bënte dhe ndërtim banesash dhe pallatesh për qytetin e Laçit që sa vinte dhe zgjerohej. Aty u sistemova menjeherë në punë në një brigadë që merrej me lyerjen e banaseva, pra fillova punë si bojaxhi.
Po pas viteve ’90-të?
Me shëmbjen e regjimit komunist në vitin 1991, jam emëruar në detyrën e Drejtorit të Ndërrmarjes së Ndërtimeve Komunale të rrethit të Kurbinit me qëndër në Laç dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Jashtëme në Tiranë, me detyrën e Shefit të Personalit, nga ku më larguan kur erdhën të majtët në pushtet në vitin 1997. Në atë kohë jam rikthyer në Mamurras ku jam zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Mamurrasit dhe si nënkryetar i saj për një mandat. Më pas kam dalë në pension dhe kam pasur kohë të angazhohem më shumë me Shoqatën e ish-të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme që ka zhvilluar ajo shoqatë apo Instituti për Rehabilitimin e ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politik të Shqipërisë, Autoriteti i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit etj. Gjitashtu kam shkruar edhe disa libra, kryesisht me kujtime për bashkëvuajtësit e mij që kanë vuajtur gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës.
/Memorie.al/