Erion Veliaj duhet ta zhvendosë qendrën e betejës së tij te përballja me akuzat. Aty do të matet pesha e argumenteve të tij dhe aty mund të rrëzohet, nëse është e pabazuar, çështja e ngritur kundër tij. Opinioni publik mund të dëgjojë ankesa çdo ditë, por përgjigjen për pafajësinë e japin provat dhe gjykata.
Debati për kushtet e paraburgimit kërkon seriozitet. Veliaj dhe mbrojtja e tij kanë ngritur pretendime që përfshijnë izolimin dhe kufizimin e komunikimit me familjen e avokatin; drejtoria e Burgjeve ka deklaruar se procedurat janë ndjekur sipas ligjit. Këto pretendime duhen verifikuar dhe çdo shkelje duhet korrigjuar, urgjent.
Këtu standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Veliaj meriton kushte dinjitoze, siguri, kujdes shëndetësor dhe mundësi për të përgatitur mbrojtjen. Po aq sa çdo i paraburgosur tjetër, edhe ai që nuk ka emër publik, avokatë në ekrane apo mbështetës në politikë. Paraburgimi nuk është dënim përpara vendimit të gjykatës.
Por burgu nuk është hotel me pesë yje. Funksioni i dikurshëm nuk krijon të drejtën për trajtim të veçantë. Edhe çështja e televizorit, nëse ngrihet, duhet trajtuar sipas rregullave të përbashkëta të institucionit. Pesha e një procesi penal nuk mund të humbasë mes debateve për rehatinë e përditshme.
Veliaj ka nevojë të bindë publikun se ka përgjigje për akuzat ndaj tij. Nëse prokuroria gabon, le t’ia tregojë me dokumente. Nëse provat janë të dobëta, le t’i kundërshtojë një për një. Nëse procedurat cenojnë mbrojtjen, le t’i sfidojë me këmbëngulje. Përballja serioze kërkon përgatitje, qartësi dhe guxim. Dhe në gjykatë sfidoj hapur me fakte e argumenta dhe nëse del i pafajshëm i ke mposhtur të gjithë. Një politikan nuk qahet për gjëra sekondare. Ishte Fatos Nano në qeli por fitoj se kishte të drejtë dhe doli më i fortë se sa ishte para burgut. Edhe ish-presidenti Meta në qeli ndodhet, bile ai në kushte skandaloze, por prapë shkon e përballet sy me sy në gjykatë.
As një ankesë për kushtet nuk provon fajësinë e tij, as një padrejtësi gjatë paraburgimit nuk i rrëzon vetvetiu akuzat. Secila çështje kërkon përgjigjen e vet. Pikërisht këtë dallim duhet ta mbajë të qartë edhe Veliaj.
Në gjuhën e figurshme, atij i duhet qëndrimi i shqiponjës: shikim i kthjellët dhe guxim për t’u përballur. Nëse do ta përdorë krahasimin me flamingon, le ta lërë atë për butësinë e pamjes; një betejë gjyqësore kërkon qëndrueshmëri dhe argumente. Dinjiteti fitohet duke kërkuar të drejtat dhe duke marrë përsipër përballjen.
Publiku pret të dëgjojë: “Ja akuza dhe ja përgjigjja ime. Ja pretendimi dhe ja dokumenti që e kundërshton.”
Kështu fiton pikë Veliaj. Duke e kthyer fjalën në argument dhe argumentin në një mbrojtje që qëndron përpara gjykatës.
