Ermal Beqiraj nën akuzë nga SPAK, biznesmeni dyshohet se synonte blerjen e një kështjelle 2.6 milionë euro në Francë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka publikuar detaje të reja lidhur me arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiraj në Francë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë zbuluar disa pasuri të dyshuara me origjinë kriminale që ndodhen në territorin francez.

SPAK bën me dije se gjatë hetimeve të kryera në bashkëpunim me autoritetet franceze janë identifikuar llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, si dhe një kështjellë në departamentin e Oise, në veri të Francës, me vlerë rreth 2.6 milionë euro. Gjithashtu janë evidentuar edhe mjete motorike dhe pasuri të tjera.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet financiare vijojnë me qëllim sekuestrimin dhe konfiskimin e këtyre aseteve, përmes bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar mes Shqipërisë dhe Francës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Beqiraj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas një vendimi të Gjykatës së Posaçme, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij dhe një tjetër personi. Ai dyshohet për një sërë veprash penale, mes të cilave konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Autoritetet shqiptare kërkuan ndihmën e strukturave franceze pasi dyshuan se Beqiraj ndodhej në Francë. Pas shkëmbimit të informacionit, hetimet e autoriteteve franceze konfirmuan vendndodhjen e tij dhe nisën veprimet për kapjen e tij.

Arrestimi i biznesmenit u krye më 24 korrik 2026, pasi ai hyri me një avion të lehtë në një zonë të kufizuar ajrore pranë centralit bërthamor të Penly-t në Francë. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, avioni u ul në një aerodrom në Albert, ndërsa gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

SPAK njofton gjithashtu se, me kërkesë të tij, autoritetet franceze kanë kryer kontrolle në ambientet dhe pronat që lidhen me Beqirajn, ku janë sekuestruar materiale me interes për hetimin penal. Ndërkohë, Shqipëria ka nisur procedurat zyrtare për ekstradimin e tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?