“Fatos Nano gënjen, Rama nuk u kthye nga Parisi se qe i varfër”

 

25 vjet më parë, dy piktorë të rinj, Bujar Luca dhe Edi Rama, mërguan duke zgjedhur Parisin që t’i jepnin liri artit të tyre. Pastaj rrugët e tyre u ndanë…

Artisti franko­-shqiptar, Bujar Luca, dhe kryeministri aktual, Edi Rama, vijnë nga ai brez piktorësh i viteve ‘80­’90 që shënuan “krisjen” e parë në metodën e realizmit socialist, si Llambi Blido, Gazmend Leka, Zuzana Varvarica, Lekë Tasi, Ilir Pojani, Agron Jakupi, etj.

Bujar Luca rrëfen për mediat mbi ikjen në Francë me Edi Ramën në vitin 1990. Teksa Rama u kthye në vendin e tij dhe u përfshi në politikë, me një stil avangardë, duke sfiduar sulmet e pozitës dhe të opozitës.

Piktori Lucaj rrëfen arsyet se pse u kthye Edi Rama nga Parisi, duke përgënjeshtruar ish­kryeministrin Fatos Nano, i cili vite më parë “e sulmoi” në Kuvend me batutën: “E mora Ramën me thonj të paprerë nga Parisi…, që shiste ikona të vjedhura dhe e bëra ministër”.

Përmes 1825 veprave të artistit Bujar Luca në ekspozitën që evokon kaq shumë emocione në Galerinë Kombëtare të Arteve, zhvillohet edhe kjo bisedë, duke na rikthyer në retrospektivë. Retrospektivë, që nuk mungon edhe në veprat e Lucajt, i cili edhe pse bën art në Paris, ka ditur të lidh elementët modernë me traditën piktorike shqiptare.

“Nuk është e vërtetë. Edi Rama ishte thjesht një artist në Paris. Nëse një politikan e quan artistin të mjerë, është problemi i tij. Ai nuk ishte në gjendje të mjerë. Ai zgjodhi kthimin për arsye individuale, siç janë kthyer shumë të tjerë. Nëse e ka pasur fjalën se ai ishte në gjendje modeste ekonomike, siç është çdo artist, kjo varet si e koncepton ai artistin, por nuk mund të thuhet se një artist është në gjendje të mjerë, sepse artisti nga natyra e zgjedh vetë mënyrën e jetesës. Unë kam zbuluar në fakt tek Edi Rama një karakter shumë shoqëror dhe një karakter tjetër, që prirej nga dëshira për të komunikuar forcën e tij dhe për ta ndarë me të tjerët. Edi Rama nuk ishte aq i varfër, sa të pengohej për të zgjedhur cilën rrugë të donte në atë kohë. Unë mendoj se zgjodhi rrugën e duhur. Madje kur ishim në Paris me Edi Ramën, ne mundoheshim t’i sqaronim njerëzit e tjerë që vinin atje nga Shqipëria, se vërtet është mirë të vish në Paris, por është kjo e kjo lloj pengese. Dhe kishte raste që u thoshim disa të afërmve se është mirë të kthehen në Shqipëri, saqë njëri nga të afërmit më tha: More ti ike se nuk e doje komunizmin apo se je komunist?!”, shprehet Luca.

SHKARKO APP