FBI identifikon të dyshuarin për tentativë vrasje kundër Trumpit

Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) ka identifikuar Thomas Matthew Crooks, 20 vjeç, nga Bethel Park i Pensilvanisë si subjektin e përfshirë në tentim-vrasjen kundër ish-presidentit amerikan, Doanld Trump.

FBI-ja tha më 14 korrik se hetimi për këtë çështje është duke vazhduar.

Kandidati i pritur republikan për president të SHBA-së, Trump, është jashtë rrezikut për jetë pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën teksa ai fliste në një tubim në Pensivlani më 13 korrik.

Shërbimi Sekret amerikan tha se një person, që ishte në audiencë, është vrarë dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.

Agjentët e kanë vrarë sulmuesin në vendngjarje, bëri të ditur Shërbimi Sekret amerikan.

Trump tha se u qëllua me një plumb që i shpoi pjesën e sipërme të veshit të djathtë.

“E kuptova menjëherë se diçka nuk po shkonte kur dëgjova krisma, të shtëna, dhe menjëherë ndjeva se plumbi po çante nëpër lëkurë”, shkroi Trump në llogarinë e tij në Truth Social.

Me të dëgjuar të shtënat, agjentët e Shërbimit Sekret e tërhoqën ish-presidentin amerikan nga skena dhe e larguan me një automjet që e priste.

Autoritetet amerikane ende nuk kanë bërë publik motivin e këtij atentati.

*Lajmi është duke u përditësuar

REL

SHKARKO APP