Femra fut në kurth kandidatin për të dashur në bashkëpunim me ish-të dashurin!
Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Tiranë, ku një 27-vjeçar është rrëmbyer, dhunuar dhe shantazhuar nga një grup të rinjsh, mes tyre edhe dy vajza.
Sipas Policisë, dy persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim për përfshirje në këtë akt të organizuar të pengmarrjes.
Në kërkim janë shpallur K.L. M. M. dhe S. C..
Burime hetimore konfirmojnë se S. C. një nga vajzat e përfshira, kishte pasur një lidhje sentimentale me 27-vjeçarin, por edhe me njërin nga të arrestuarit, L. K. që sipas Policisë është ideatori i pengmarrjes.
Dyshohet se Kimza, pasi ka zbuluar se ish-e dashura e tij komunikonte ende me 27-vjeçarin, ka organizuar një plan për t’i bërë presion dhe për t’i marrë para.
Për këtë, ai ka bashkëpunuar me të dashurën e tij aktuale dhe disa miq të tjerë, përfshirë vajzën tjetër, Monika Marku, e cila luajti një rol kyç në kurthin ndaj viktimës.
Kurthi në apartamentin e AirBNB
Sipas hetimeve, M.M.kontaktoi me 27-vjeçarin dhe i propozoi një takim për kafe. Pas disa bisedave, ata ranë dakord të takoheshin në një apartament të marrë me qira përmes platformës AirBNB, ku ajo e ftoi për një “takim privat”.
Por në momentin që 27-vjeçari hyri në apartament, nga tualeti dolën dy djemtë, të cilët e goditën dhe e dhunuan rëndë.
Më pas, nën kërcënimin e dhunës, ata i kërkuan 5 mijë euro me pretendimin se “kishte shkelur një marrëveshje”.
I riu u mbajt peng për disa orë, më pas u detyrua të shkonte në banesë për të marrë shumën e parave dhe ua dorëzoi keqbërësve.
Shantazhi vazhdoi edhe pas pagesës
Pas dorëzimit të shumës së parë, grupi vijoi ta shantazhojë viktimën, duke i kërkuar edhe 5 mijë euro të tjera, nën kërcënimin e publikimit të videove komprometuese dhe dhunës fizike.
Për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar, 27-vjeçari u paraqit në spital, ku mjekët, pasi konstatuan shenja dhune, njoftuan policinë.
Operacioni i policisë dhe arrestimet
Pas marrjes së dëshmisë së viktimës, agjentët e komisariatit të Tiranës organizuan një operacion të stimuluar, nëpërmjet të cilit u sigurua prova për identifikimin dhe ndalimin e autorëve.
Mësohet se gjatë këtij operacioni, policia inskenoi dorëzimin e shumës së dytë, çka bëri të mundur kapjen në flagrancë të dy personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve.
Hetimet vazhdojnë – mundësi për përfshirje të tjera
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ngjarja ka karakter të qartë kriminal dhe se nuk përjashtohet mundësia e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Në hetim janë edhe rrethanat e marrjes me qira të apartamentit, mënyra e komunikimit mes autorëve, si dhe përfshirja e vajzave në planifikimin dhe ekzekutimin e krimit.
Analizë: Fenomen i ri i dhunës dhe shantazhit urban
Ky rast i pengmarrjes në Tiranë nxjerr në pah një fenomen të ri të kriminalitetit urban, ku marrëdhëniet personale përzihen me motivet financiare dhe shantazhin, duke treguar një përkeqësim të dukshëm të sigurisë sociale dhe etike në mjediset e të rinjve.
Përdorimi i rrjeteve sociale dhe platformave si AirBNB për qëllime kriminale po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për nevojën e rritjes së kontrollit dhe ndërgjegjësimit publik ndaj rasteve të tilla.
Njoftimi i plotë i policisë në lidhje me ngjarjen:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Kufizimi”.
I hoqën lirinë për disa orë, një 27-vjeçari, dhe e dhunuan fizikisht atë, në një apartament, që t’iu jepte 5000 euro, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallen në kërkim 3 bashkëpunëtorët.
Vihet në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Sekuestrohen pistoleta, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet.
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme
KOHA JONË SONDAZH

