Financuar nga Qeveria e Polonisë, Fieri ka tashmë një stacion të ri zjarrfikës për të përmirësuar shërbimet e mbrojtjes nga zjarri

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë dhe partnerët e saj ndërkombëtarë, ka inauguruar një stacion të ri zjarrfikës në Fier, duke shënuar një arritje të rëndësishme në përpjekjet e vazhdueshme për të modernizuar dhe përmirësuar shërbimet e mbrojtjes nga zjarri në të gjithë vendin.

Stacioni i ri zjarrfikës është një strukturë moderne me të gjitha pajisjet e nevojshme, që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e punës dhe sigurinë e zjarrfikësve. Ai përfshin hapësira parkimi për kamionët e zjarrfikësve, një kullë zjarrfikëse, zyra të ndryshme administrative dhe koordinuese, zona trajnimi dhe ambiente rekreacioni. Këto pajisje të reja do t’iu ofrojnë zjarrfikësve mjetet e nevojshme për të kryer punën e tyre në mënyrë efektive dhe të sigurt.

Kjo mbështetje vjen falë ndërhyrjes së projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë”, i cili zbatohet nga UNDP Shqipëri në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Ministrinë e Brendshme dhe pushtetin lokal në 10 bashkitë partnere. Projekti është financuar nga Qeveria e Polonisë në përgjigje të thirrjes së Shqipërisë për mbështetje dhe rimëkëmbje pas tërmetit të nëntorit 2019-të.

Ky partneritet midis Qeverisë së Polonisë, Ministrisë së Brendshme dhe UNDP-së ka mundësuar një paketë të plotë ndërhyrjesh që synon modernizimin, rritjen e standardeve dhe forcimin e kapaciteteve operacionale dhe të reagimit të shërbimeve të zjarrfikësve. Kjo paketë mbështetjeje përfshin gjithashtu ndërtimin e dy stacioneve të reja zjarrfikëse, dhurimin e tre kamionëve zjarrfikës, tre kontejnerë me pajisje për kërkim -shpëtim në raste tërmetesh dhe 170 uniforma për mbrojtjen personale të zjarrfikësve.

Për të maksimizuar efektivitetin e këtyre pajisjeve të reja, janë zhvilluar seanca trajnimi, ku 377 zjarrfikës në dhjetë bashki prioritare, përfshirë Fierin, kanë fituar njohuri të standardizuara dhe të specializuara në teknikat e zjarrfikjes.

Ky stacion i ri zjarrfikës jo vetëm përmirëson kapacitetet operacionale të shërbimeve zjarrfikëse në Fier, por gjithashtu forcon sigurinë dhe mbrojtjen e komuniteteve të cilave iu shërben. Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni: Nora Kushti – Specialiste për Komunikimin pranë UNDP Shqipëri: nora.kushti@undp.org

SHKARKO APP