
Një zjarr i rënë në ambientet e një kompleksi pallatesh ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zyrat e medias online “Dritare TV”, veçanërisht në regjinë e transmetimit. Sipas rrëfimit të drejtueses së medias, gazetares Rudina Xhunga, zjarri dyshohet se nisi nga tubat e aspirimit të një restoranti dhe më pas u përhap drejt ambienteve të redaksisë. Flakët mbërritën në zyrat e medias pak pasi kishte përfunduar xhirimi i dy emisioneve.
“Po digjeshim”, kujton Xhunga, duke përshkruar momentet e panikut dhe përpjekjet për të nxjerrë njerëzit jashtë, për të fikur automatet elektrikë dhe për të pritur ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse. Ajo shprehu mirënjohjen për zjarrfikësit, të cilët ndërhynë me shpejtësi për të vënë situatën nën kontroll.
Përveç dëmeve të shkaktuara nga flakët, situata u rëndua edhe nga përmbytja e ambienteve. Shuarja e zjarrit dhe shkrirja e tubave të shkarkimit të ujërave dhe të shiut sollën depërtimin e ujit në hapësirat e dëmtuara. Sipas Xhungës, edhe pas ngjarjes, uji ka vijuar të depërtojë në ambientet e redaksisë. Për rastin janë bërë kallëzime në Prokurori dhe Polici, ndërsa mbetet për t’u sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë përkatëse.
Në një mesazh për ndjekësit, Rudina Xhunga kërkoi mirëkuptim për uljen e aktivitetit të medias gjatë kësaj periudhe, duke siguruar se komunikimi me publikun do të vijojë. “Na falni për këtë periudhë me pak aktivitet! Por do të vijojmë të jemi bashkë”, u shpreh ajo.
