Flakët përfshijnë malin e Vinës në Gramsh, terreni i vështirë vonon ndërhyrjen e zjarrfikësve
Një vatër zjarri është regjistruar në malin e Vinës, në territorin e Bashkisë së Gramshit, duke aktivizuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencës. Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve të kalueshme, ekipet nuk kanë mundur të afrohen me mjete, ndaj janë detyruar të ecin rreth dy orë në këmbë për të mbërritur në zonën ku po përhapeshin flakët.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me pompa shpine dhe mjete rrethanore, duke punuar në kushte të vështira për të vënë situatën nën kontroll. Operacioni është mbështetur edhe nga punonjës të shërbimit pyjor, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Falë ndërhyrjes së koordinuar, zjarri u izolua dhe u shmang përhapja e tij në sipërfaqe të tjera pyjore, duke evituar një situatë të ngjashme me atë të një viti më parë në zonën e Skënderbegasit.
Autoritetet rikujtojnë se gjatë kësaj periudhe, kur temperaturat janë të larta dhe rreziku për zjarre mbetet i shtuar, është e ndaluar ndezja e zjarreve në ambiente të hapura. Shërbimi zjarrfikës i Gramshit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë menjëherë çdo vatër zjarri, me qëllim mbrojtjen e pyjeve, pronave dhe jetës së banorëve.
KOHA JONË SONDAZH

