
Një banesë është përfshirë nga flakët në fshatin Hoxhar i Vjetër në Fier, duke u shkrumbuar pothuajse plotësisht. Dyshohet se shkak i zjarrit është bërë një bombol gazi që përdorej për gatim. Fatmirësisht, 33-vjeçari që ndodhej brenda shtëpisë ka arritur të shpëtojë pa pësuar lëndime.
Sipas banorëve të zonës, Redjan Llambro, i cili vuan nga epilepsia, ka pësuar një krizë në momentin që po ndizte bombolën e gazit për të përgatitur ushqimin. Gjatë episodit, ai dyshohet se ka rrëzuar bombolën, duke bërë që flakët të përhapen me shpejtësi në ambientet e banesës dhe orenditë shtëpiake.
Tymi që dilte nga shtëpia është konstatuar fillimisht nga fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë për të nxjerrë 33-vjeçarin jashtë. Pak më vonë, në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, të cilët kanë arritur të vënë nën kontroll flakët dhe të shmangin përhapjen e zjarrit në banesat përreth.
Në shtëpi jetonin Redjani dhe nëna e tij, e cila në momentin e ngjarjes nuk ndodhej aty. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, familja ka humbur edhe orenditë dhe pajisjet elektroshtëpiake, duke mbetur pa kushtet bazë të jetesës.
Të afërmit dhe banorët e zonës kanë bërë apel për ndihmë dhe solidaritet, pasi nëna dhe i biri jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Ata kërkojnë mbështetjen e institucioneve dhe qytetarëve për t’u siguruar strehim dhe pajisjet e nevojshme për të rifilluar jetën pas kësaj ngjarjeje.
