Flasin kolumbianët: Si erdhëm në Shqipëri dhe sa na paguanin ?

Dy kolumbianët Cezar Avila dhe Valther Moreno, të arrestuar brenda laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, kanë pranuar akuzat, duke dhënë edhe detaje të aktivitetit të tyre të përditshëm, që nga momenti i mbërritjes në Shqipëri. Ata kanë nxjerrë në skenë një bashkëpunëtor kolumbian me emrin Karlos, i cili i ka sjellë në vendin tonë posaçërisht për të përpunuar drogën në laboratorin e Xibrakës.

Një punë të tillë, sikurse kanë dëshmuar para gjyqtares Cezar Avila dhe Valther Moreno, e kanë kryer prej disa muajsh, madje ditën që janë arrestuar ata kishin mundësuar nxjerrjen e gati gjysmë kilogrami kokainë.

Avila e Morena kanë deklaruar se specifikisht ata janë marrë me përpunimin dhe nxjerrjen e ekstrakteve të kokainës nga rrobat dhe solucionet e ndryshme. Dy shtetasit kolumbianë kanë rrëfyer edhe intinerarin e ndjekur prej tyre, i cili ka nisur nga Bogota e Kolumbisë, për të vijuar në Lisbonë, më pas në Romë, Athinë e Janinë nga ku me autobusin e linjës kishin ardhur në Gjirokastër.

Kolumbianet e kokaines

Ata i thanë gjyqtares se gjithë kohës ishin të shoqëruar nga Karlosi dhe pas ardhjes në Greqi i kishte treguar se do punonin në Shqipëri në një punë të ligjshme. Por, sipas tyre, ata kanë kryer punën për të cilët janë arrestuar.

Fillimisht ata janë vendosur në një hotel pranë stradiumit “Dinamo” dhe janë paguar nga shtetasi kolumbian me emrin Karlos me nga 4 mijë euro për qendrim dhe ushqim dhe më pas 5 mijë euro për punën që kryenin në laboratorin e drogës që gjendej në Xibrakë të Elbasanit.

Sikurse kanë rrëfyer para gjyqtares me ndihmë të përkthyeses, ata shkonin në laborator me makina të vogla, të cilat i ndërronin shpesh për të mos rënë në sy.

Puna që bënin në laborator kishte për qëllim nxjerrja e kokainës së pastër dhe përzierja e saj me qëllim për ta hedhur në treg. Hetuesit janë skeptikë lidhur me ekzistencën e shtetasit të pretenduar me emrin Karlos dhe dyshojnë se është një emër fiktiv, ose pseudonimi i ndonjërit prej të arrestuarve.shqip.com

SHKARKO APP