Fleckenstein takon familjen e Aleks Nikës

Veshur me të zeza, duke ecur ngadalë Rajmonda Nika bashkëshortja e njërit prej katër viktimave të 21 janarit Aleks Nikës, e shoqëruar nga kunata dhe xhaxhai Aleksit, Marku mëngjesien e të shtunës u takuan me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein.

Gjatë takimit që ka zgjatur 30 minuta ata e kanë njohur eurodeputetin me vijimin e moszbarrjes të autorësisë së vrasjes të Aleksit. Pas takimit Top Channel u takua me Rajmondën e cila shpjegon përse e kërkoi këtë takim.

“Ne i kërkuam eurodeputetit ndihmë që ta ngrejë çështjen e Aleksit në Parlamentin Europian. Nuk shoh që po bëhet një zgjidhje për këtë krim që është bërë. Po bëhen 4 vjet dhe drejtësia nuk është duke luajtur vendit fare. Eurodeputeti na siguroi që çështjen do ta çojë, do t’ja drejtojë Parlamentit Europian që të bëhet drejtësi dhe gjerat të vendosen në vendin e vet”, thotë Rajmonda Nika, e veja e Aleks Nikës.

Mark Nika, xhaxhai Aleksit na shpjegon se çfarë i tha raporterit Fleckenstein.

“Ne e informuam se gjyqtarët janë në aleancë kriminale me njëri-tjetrin për shkak se janë të emëruar nga familja Berisha pikërisht nga ai person që ne dyshojmë si vrasës dhe ekzekutor i masakrës së 21 Janarit”, thotë ai.

Top Channel: Nga informacionet e deritanishme vrasja e nipit tuaj mbetet ende e pazbardhur pasi tre vrasjet e tjera tashmë e kanë një autor. Sipas jush ku ka ngecur ky proces?

“Me sa kemi informacion në rrugë private, por jo zyrtare çështja e hetimit për sa i përket dosjes së Aleksit është pezulluar disa herë për shkak se sipas prokurorisë nuk është përcaktuar ekzaktësisht arma që ka qëlluar mbi atë. Që në fillim ne kemi informacion se arma e ekzekutimit të Aleksit është identifikuar dhe i përket ish-komandantit të gardës, Ndrea Prendi. Pas kësaj me sa duket ata u penduan në konkluzionet që dhanë dhe u arrit që të ndryshohet tyta e armës nga e Ndrea Prendit tek ajo e shoferit të tij. Kjo me qëllim mos të dali e vërteta”, përgjigjet Mark Nika.

Xhaxhai Aleks Nikës dyshon për prishje të provave.

“Prokuroria bësoj se ka dijeni që në plumbin që i mori jetën Aleksit është bërë një ndërhyrje mekanike. Për këtë kemi prova se është bërë ndërhyrje ose në Stamboll, ose në Tiranë. Është ndryshuar apo është goditur plumbi për të mos u identifikuar. Ne në rrugë private kemi bërë veprime hetimore dhe kemi arritur në përfundimin se vrasja është bërë me qitje selektive që nga oborri Kryeministrisë”, thotë ai.

Për këtë ngjarje janë dënuar nga Gjykata e Apelit për vrasje nga pakujdesia, ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi me 1 vit burg, gardisti Agim Llupo 3 vjet, periudhë që përkoi me kohën e paraburgimit dhe u shpall i pafajshëm Margarit Kume, ish-shoferi Komandantit të Gardës.

Prokuria e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Lartë duke këmbëngulur se ata kanë konsumuar veprën e vrasjes me dashje. Gjykata e Lartë ka hedhur shortin më 28.10.2013 më anë të të cilit  është  caktuar relator gjyqtari Edmod Islamaj.

Pavarësisht se ka kaluar 1 vit nga hedhja e shortit, kjo gjykatë nuk e ka caktuar ende datën e gjykimit duke shënuar një tjetër skandal të drejtësisë shqiptare në çështjen e 21 janarit. / Top Channel

SHKARKO APP