Flet avokati i Gjikës: Arrestimi, një lojë e ndyrë politike

 

Arrestim politik e ka konsideruar arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, avokati i tij Ardian Leka. Ai thotë se të gjitha akuzat janë të montuara, se bëhet fjalë për të njëjtën mbledhje të vitit 2011 për të cilën Gjika u padit tetorin e vitit 2013 dhe mori pafajësinë. Vendimet e kësaj mbledhje të KRT -së Bashkisë së Vlorës kanë qenë të gjitha kolegjiale, thotë ai në një intervistë për newsbomb.

“Eshtë një proçes i montuar politikisht. Bëhet fjalë për të njëjtën mbledhje, atë të vitit 2011, ku në fakt, vendimet janë kolegjiale. Bën “muu” se e gjithë kjo masë arresti në mungesë bëhet pikërisht pasi ne fituam gjyqin në shkallën e parë dhe për ta vazhduar në apel. Pra ta tjerrin e ta zvarrisin pa fund.”

Avokati Ardian Leka thotë se denoncuesja është e njëjta grua që ka 10 vjet që pretendon një pronë të vetën në vendin ku është ndërtuar me lejen e KRT -së së Bashkisë së Vlorës. Një grua, që sipas tij, ka humbur të gjitha proçeset civile për këtë çështje. Ai e konsideron të pavend edhe masën e arrestit të marrë në mungesë.

“Sepse keta njerëz kështu po funksionojnë sot, dersia gjithçka t’u kthehet kundër. Ligji e specifikon qartë se kur bëhet arresti në mungesë. Ku do të ikë Shpëtim Gjika? Do të arratiset? Do shpallet në kërkim ndërkombëtar? Ç’lloj mendësie është kjo? Eshtë Shpëtim Gjika njeri i kategorisë së rrezikshme?…E gjitha, po bëhet një lojë e ndyrë politike, për të mos mbyllur proçesin ndaj tij”.

SHKARKO APP