Fluksi i shtuar i turistëve dhe udhëtarëve, DPSHTRR fushatë informuese për platformën eTransport
Sezoni veror sjell një fluks të shtuar turistësh dhe udhëtarësh në vendin tonë, duke rritur edhe nevojën për informacion të shpejtë, të saktë dhe të aksesueshëm mbi transportin publik interurban.
Kjo ka bërë që drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Kreshnik Bajraktari dhe ekipet e institucionit, të nisin një fushatë intensive informuese në terren për promovimin e platformës eTransport.
Platforma është një zgjidhje digjitale që bashkon transportin publik interurban me nevojën e përdoruesve për informacion të plotë mbi mënyrën e aksesimit të tij.
Bajraktari ishte i pranishëm në pikat kryesore hyrëse të vendit, duke u takuar me qytetarë, turistë dhe operatorë të transportit për t’i informuar mbi funksionalitetet, mënyrën e përdorimit dhe avantazhet që ofron platforma eTransport.
Vizita e parë u zhvillua në Portin e Durrësit, një nga portat kryesore hyrëse të Shqipërisë gjatë sezonit turistik, ku çdo ditë mbërrijnë dhjetëra udhëtarë. Më pas, Kreshnik Bajraktari vijoi aktivitetin informues në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, në Portin e Vlorës dhe Portin e Sarandës.
Kreu i DPSHTRR pati mundësinë të dëgjonte drejtpërdrejt përvojat, sugjerimet dhe nevojat e përdoruesve të transportit publik interurban. Fushata informuese do të vijojë përgjatë gjithë sezonit veror.
KOHA JONË SONDAZH

