Forumi Euromesdhetar i Ujit në Itali, ministri Jaupaj: Prioritetet e përbashkëta të kthehen në projekte konkrete
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë në Forumin Euromesdhetar të Ujit, në Romë (Itali), ku së bashku me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Unionit për Mesdheun, prezantuan vizionin dhe prioritetet për një të ardhme më të qëndrueshme të ujit në Evropë dhe Mesdhe.
Në panelin “Vizioni i Ri Evropian për Ujin”, Jaupaj theksoi kontributin që Shqipëria dhe vendet kandidate për në BE mund të japin përmes reformave, forcimit të institucioneve dhe investimeve që mbrojnë burimet ujore dhe na përgatitin më mirë për përmbytjet dhe thatësirat.
“Drejt vitit 2030, na duhet më shumë bashkëpunim mes BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve mesdhetarë, për t’i kthyer prioritetet e përbashkëta në projekte konkrete për qytetarët dhe ekosistemet tona”, tha Jaupaj.
Gjithashtu në kuadër të Euromediterranean Water Forum 2026 në Romë, Jaupaj zhvilloi një takim me Charles Calestroupat, zëvendëspresident i “Microsoft” për Europën Jugore.
Në fokus të takimit ishte transformimi digjital në menaxhimin e burimeve ujore dhe Kadastra Kombëtare e Burimeve Ujore, si një hap konkret drejt integrimit të të dhënave dhe një administrimi më modern e efikas të ujit.


