FOTO/ Elvis Lila del në publik si drejtues i SHISH, merr pjesë në Këshillin e Sigurisë për çështjen ”Vlora Hyseni”
Kreu i komanduar i Shërbimit Informativ të Shtetit, Elvis Lila, është shfaqur këtë të hënë për herë të parë në publik pas marrjes së detyrës së re. Lila ishte i pranishëm në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur mëngjesin e sotëm nga Presidenti Bajram Begaj. Në pamjet e publikuara nga zyra e shtypit e Presidentit, ai shihet mes pjesëmarrësve në këtë takim.
Emërimi i Lilës në krye të SHISH erdhi pas shkarkimit të Vlora Hysenit nga detyra. Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Lila u komandua në drejtimin e institucionit, ndërsa më herët mbante postin e drejtuesit të Departamentit Operativ. Pjesëmarrja në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë shënon kështu daljen e parë publike të Lilës në funksionin e tij të ri.
Konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, duken në të njëjtën gjatësi vale me shqetësimet e shprehura një ditë më parë nga kryeministri, për ekspozimin e institucionit ndaj një dëmi të mundshëm. ”Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional”, deklaroi Presidenca.
ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT
Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.
1. Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
2. Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
3. Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi
4. Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
5. Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu
6. Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo
7. Ministria përgjegjëse për Financat; Petrit Malaj
8. Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi
9. Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi
10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij; Bledar Çuçi,
11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji
12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila
13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj
Reagimi i plotë nga Presidenca
Presidenti Bajram Begaj, thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe impaktin që ato kanë mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë. Në mbledhje, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-u.
Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.
Në takim u konkludua se:
Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.
Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.
Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional.
Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Ai është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.


