
Një ngjarje e rëndë kriminale është zbardhur në Bulqizë, ku bashkëshortja dhe djali i 57-vjeçarit dyshohet se kanë bashkëpunuar për ta vrarë atë dhe më pas kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit.
Ngjarja ka ndodhur më 3 nëntor, në fshatin Godvi, ku fillimisht familjarët e shtetasit U. F. kanë pretenduar se ai kishte humbur jetën si pasojë e sulmit nga një ari.
Hetimet e policisë dhe ekspertiza mjekoligjore kanë hedhur poshtë këtë version, duke zbuluar se 57-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri.
Në vijim të hetimeve, policia ka ndaluar bashkëshorten e viktimës, 57 vjeçe, dhe djalin e tij, 33 vjeç, të cilët dyshohen si të përfshirë në krim.
Sipas dyshimeve hetimore, nënë e bir kanë përdorur armë zjarri dhe mjete të forta prerëse për të kryer vrasjen, ndërsa më pas kanë tentuar të krijojnë një skenar tjetër për vdekjen e kryefamiljarit, duke e paraqitur atë si pasojë të sulmit nga një kafshë e egër.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
