FOTO/ Shoqata ”Korabi” i dhuron spitalit në Laç një inkubator për të porsalindurit dhe pajisje kirurgjikale
Një akt bamirësie është bërë nga shoqata ”Korabi”, ku spitalit të qytetit të Laçit u dhuruan një inkubator për të porsalindurit si dhe pajisje të tjera kirurgjikale për ndërhyrje urgjente, gjatë një ceremonie që u zhvillua të martën e shkuar datë 25 nëntor 2025.
Kjo është herë e pestë që kjo shoqatë dhuron pajisje të tilla për spitalet në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Shoqata “Korabi” është krijuar në Bolonjë në vitin 2022 dhe përbëhet nga sipërmarrës e profesionistë shqiptarë dhe arbëreshë.
Drejtuesit e shoqatës u pritën nga kryetarja e bashkisë Laç, Majlinda Cara, dhe drejtoresha e spitalit, znj. Edlira Lleshi. Kryetarja e bashkisë falënderoi “Korabin” për këtë gjest bujar duke nënvizuar faktin se një pajisje e tillë i mungonte spitalit dhe se prej ditës së sotme, nënat e reja do të ndihen më të qeta për kushtet, në momentet kur lindin fëmijët.
Në emër të shoqatës, Presidenti i saj, Astrit Poti falënderoi kryetaren për pritjen e ngrohtë dhe u shpreh se qëllimi kryesor i shoqatës “Korabi” është të ndërmarrë akte bamirësie, kudo ku ka nevojë, qoftë në Shqipëri, por edhe në komunitetet arbëreshe në Itali, me një përkujdesje të shtuar ndaj nevojave të fëmijëve.
KOHA JONË SONDAZH




