Frika nga dekonspirimi, prokuroria bllokoi celularët e policëve

Mesditen e të mërkures, para se prokurorët të shpjegonin ndërhyrjen në laboratorin e Xibrakës, të gjithë efektivët e Grupit të Operacioneve Speciale u urdhëruan të fiknin telefonat dhe t’i dorëzonin ato, raporton ABC.

Të gjithë efektivët njëri pas tjetrit nuk dinin ende asgjë pak orë para operacionit, ndërsa qendronin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Prokurori Olsian Çela, së bashku me dy drejtues të lartë të policisë ishin të vetmit që kishin të dhëna për operacionin dhe ndërsa shpjegonin ndërhyrjen, janë rezervuar të flisnin për emrat e trafikantëve të drogës.

Dy kolumbianët e arrestuar brenda laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, kanë hyrë në Shqipëri nga pikë kalimi kufitar i Kakavijës.

Sipas hetuesve, dy kolumbianët kanë ardhur në Shqipëri me cilësinë e kimistëve apo ekspertëve që ndajnë ekstraktin e kokainës nga rrobat me të cilat është sjellë në Shqipëri sasia e kokainës.

Ajo që tashmë është provuar, sipas hetuesve, është fakti se Ermal Hoxha dhe persona të tjerë janë përgjuar, fotografuar dhe filmuar duke i shoqëruar dy kolumbianët me makinë drejt laboratorit të drogës së ngritur në Xibrakë.

Këto janë edhe provat konkrete ndaj nipit të Enver Hoxhës, familja e të cilit pretendon se arrestimi është një inskenim politik për të denigruar atë dhe emrin e familjes së Enver Hoxhës.

Sipas prokurorisë, Ermal Hoxha është fiksuar gjatë takimeve edhe me personat e tjerë tashmë të arrestuar apo personat që janë shpallur në kërkim.

SHKARKO APP