Frikë për ekstradimin në Tiranë, Durim Bami: 16 persona duan të më vr@sin
Durim Bami i cili u arrestua për herë të dytë pak ditë më parë në Dubai, frikësohet për jetën e tij, nëse autoritetet atje vendosin që ta rikthejnë në Shqipëri, në lidhje me disa akuza që rëndojnë ndaj tij për krime të ndryshme të rënda. Mbrojtja e personit shumë të kërkuar në Shqipëri iu ka bërë me dije autoriteteve të Dubait të mos transferohet në Shqipëri, pasi janë të paktën 16 persona, brenda e jashtë burgut, që kërkojnë ta eleminojnë fizikisht.
Durim Bami është arrestuar sërish brenda pak muajsh në Dubai, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Më 15 maj të këtij viti GJKKO i ka caktuar “arrest në burg” për disa vepra penale si “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.
Durim Bami doli në bisedat e Sky teksa planifikonte vrasjen e Arben Ndokës, Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit. Bami u arrestua edhe në muajin qershor të këtij viti, por u la i lirë, pasi Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe. Tashmë pritet të shihet nëse do të arrihet nga Interpol Tirana ekstradimi i tij drejt vendit tonë.