Fshirja e kredive – Bankat “pastruan” 8.4 miliardë lekë vitin e kaluar

Fshirja e kredive të humbura ka dhënë një ndikim të konsiderueshëm në uljen e raportit të kredive me probleme edhe vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, bankat tregtare kanë nxjerrë jashtë bilanceve 8.4 miliardë lekë ose rreth 68 milionë euro për vitin 2019. Në pesë vitet e fundit, vlera totale e kredive të fshira ka rritur në 65 miliardë lekë ose afërsisht 530 milionë euro. Në vitin 2015, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren që detyronte bankat të fshinin ato hua që rezultonin si të humbura prej më shume se tre vjetësh. Duke filluar nga viti 2020, koha për fshirjen e kredive të humbura do të shkurtohet në një vit, çka pritet të sjellë një efekt të mëtejshëm në rritjen e fshirjeve dhe pastrimin e portofolit të bankave.

Vitin e kaluar raporti i kredive me probleme zbriti në 8.4%, që përfaqëson nivelin më të ulët në 11 vitet e fundit.

Kreditimi ngelët bindshëm më cilësor në segmentin e individëve, që në fund të vitit të kaluar kishte një raport të kredive me probleme në kufijtë e 5%. Për segmentin më të rëndësishëm, kredinë për blerje banesash, raporti ishte akoma më i ulët, me 4.4%. Me këto shifra, kredia për shtëpi ngelet produkti më cilësor i kredisë bankare.

Edhe segementi i bizneseve është në përmirësim, por raporti i kredive me probleme është dy herë më i lartë, me 10.7% në fund të vitit të kaluar. Por, nga ana tjetër, kredia për biznes ka edhe rënie më të madhe të raportit të kredive me probleme, të ndikuar sidomos nga fakti që shumica e kredive të fshira nga bilancet janë pikërisht në këtë segment.

SHKARKO APP