Fuga:Universitetet, këto banda keqbërësish që shesin diploma
Nga Parisi ku jep mësim prof. Artan Fuga, është treguar shumë i ashper me sistemin e lartë të arsimit shqiptar. Ne një intervistë të gjatë për gazetat Express, ai ka fshikulluar edhe universitetet private. "Privatët ta harrojnë se misioni i tyre është të shesin diploma pa dije dhe se detyra e tyre është të diplomojnë, por jo të krijojnë kushte edukimi për lehtësim punësimi. Të mos harrojnë se një shkollë nga një sipërmarrje keqbërëse e ndan vetëm një fletë cingari. U merr jetën dhe të ardhmen të rinjve nëse nuk je ku duhet. Fiton para duke gënjyer e ushqyer iluzione te rinia, i mashtron ata. Unë njoh universitete që janë në fakt, realisht, “banda keqbërësish të njohura dhe pranuara nga ligji”. Por, ministritë përkatëse të arsimit nuk kanë sy t’i shohin. Kurrikulat e një pjese të këtyre shkolla vijnë era myk, të vjetra, me tema propagandistike, gjithë ideologjizma. Unë kam guximin dhe kurajën qytetare të pohoj se arsimi shqiptar në fushat humane dhe sociale e ekonomike ende nuk e ka kaluar fazën e parë dhe të dytë të evolucionit të ndërgjegjes kolektive, po t’i mbahemi skemës madhore të Ogyst Kontit. Pra jemi akoma në fazën fetishiste, të shpjegimit sipas bindjes ndaj autoritetit, citatit, pra besimit të verbër, në fazën e filozofimeve të kota dhe ideologjisë, pa arritur ende në kurse lëndësh që të jenë shkencore dhe teknike e profesionale. Kur shoh ndonjë profesor pa diplomë në fushën ku hiqet si profesor më vjen të qesh, qaj, çirrem, shkul flokët, grindem, tallem, trishtohem, thërras, ulërij, por ja që kështu është. Ne jetojmë fazën e superpozimit, të klonimit, të departamenteve të njëjta, të fakulteteve të njëjta, dhe ky është krimi ynë për edukimin kombëtar. Ne prodhojmë të papunë sepse prodhojnë të diplomuar të klonuar, të gjithë njësoj, dhe me dije e aftësi profesionale, të tejkaluara qysh nga vitet ‘60. Por, si nuk pati kjo hapësirë mbarëkombëtare një ministër arsimi t’i thotë ndal kësaj gjëje, dhe pastaj po të mos e dëgjonin t’ua hidhet çelësat e zyrës në këmbë atyre që s’e kuptonin dhe të hynte në histori!"
KOHA JONË SONDAZH

