Futi telefon në burg e shqetësonte një femër dënohet me 1 vit burgim ish-anëtari i grupit të Gaxhait

Futja e një aparati telefoni në qeli, ka bërë që Gjykata e Elbasanit, të dënojë me 1 vit burgim, Edmond Leskaj, ish-anëtarin e bandës së Gaxhait në Vlorë, i cili aktualisht është duke vuajtur një dënim prej 25 vjetësh në burgun e Peqinit.

Vendimi për dënimin e dytë kundër Leskaj, është marë pak ditë më parë nga gjykata e Elbasanit. Sipas dosjes hetimore, rezulton se zbulimi i telefonit në qelinë e Edmond Leskaj, është arritur të bëhet nëpërmjet një gruaje.

Edmond Leskaj, i dënuari me 25 vite burgim si ish-anëtar i bandës së “Gaxhait” në Vlorë, është zbuluar se komunikonte me një vajzë me inicialet E.Gj, e cila kohët e fundit kishte shfaqur shqetësime, duke mos pranuar të bisedonte më, me të dënuarin Edmond Leskaj.

E ndjerë e bezdisur nga Leskaj, E.Gj, ka vendosur ta denoncojë këtë person në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Burgjeve, duke treguar se ishte një vajzë që shqetësohej nga një i dënuar në burgun e sigurisë së lartë Peqin. E.Gj, u ka thënë se i dënuari që e shqetësonte quhet Edmond, por nuk ka dhënë mbiemër, por vetëm i ka lënë sallës operative numrin e telefonit që e shqetësonte herë pas here.

Më pas, policia e burgjeve ka kryer verifikime, duke konstatuar se në ambientet e burgut të sigurisë së lartë Peqin, ishin dy të dënuar me emrin “Edmond” dhe më konkretisht Edmond Bedolli dhe Edmond Leskaj. Menjëherë është kryer një kontroll blic në qelitë ku vuajnë dënimin dy personat e mësipërm, ku në dhomën ku qëndronte, Edmond Leskaj, policia ka sekuestruar një telefon “Samsung”.

Aparati i telefonit, i është dorëzuar nga Leskaj policisë, pasi ky i fundit ka kuptuar se për çfarë kishin mbërritur në dhomën e tij policët. Ndërkohë nga verifikimet e kryera ka rezultuar se numri celular që përdorte, Edmond Leskaj, i përkiste një personi nga qyteti i Elbasanit. Për futjen dhe mbajtjen e telefonit në burg, Edmond Leskaj tashmë është dënuar me 1 vit burgim. /Ora News

SHKARKO APP