Garante e projektit të Durrësit është familja sundimtare e Emirateve
Një prej pikave më të forta të debatit për projektin e Portit të Durrësit ishte fakti se 40% e aksioneve i takonin biznesmenit Mohamed Alabbar, ndërsa pjesa tjetër e 60% në dukje përfshin familjarët e tij. Kjo e dhënë paraprake e bënte projektin të dukej si një biznes strikt familjar i një biznesmeni dhe jo një angazhim i koorporatës Emaar, apo shtetit të Emirateve.
Hashtag.al ka mundur të interesohet pranë dy burimeve diplomatike shqiptare dhe të huaja, të cilat janë të përfshira në procesin e verifikimit të përfituesve fundorë të projektit. Garante e këtij projekti është kompania NSHMI Development LLC. Të dhënat mbi këtë kompani janë të kufizuara, por në rrugë konfidenciale kompania rezulton se ka bërë çdo sqarim pranë autoriteteve ligjzbatuese dhe të Inteligjencës dhe sidomos pranë autoriteteve amerikane.
Nga dokumentacioni konfidencial i dorëzuar nga kjo kompani rezulton se pronari i saj kryesor është shtetasi emiratas Tahnoun bin Zayed Al Nahyan. Ky shtetas rezulton se është djali i themeluesit të shtetit të Emirateve, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan.
Kjo e dhënë ngre stekën shumë përtej një biznesmeni dhe administratori si Alabbar dhe orienton se garantët dhe sponsorët kryesorë të këtij projekti janë familja më e fuqishme në Emiratet e Bashkuara dhe praktikisht është shteti i Emirateve ai që garanton dhe sponsorizon në pjesën dërrmuese projektin. Kjo e dhënë e sqaruar në rrugë konfidenciale bën që të tejkalohet jo vetëm valenca e biznesmenit Alabbar, por të tejkalohet gjithashtu edhe valenca e vetë grupit Emaar, sepse garantorët e projektit janë më të fuqishëm se të dy këta.
Të njëjtat burime diplomatike i thanë Hashtag.al se rreth një vit më parë ky projekt u paralizua tërësisht dhe u kërkua sigurimi i përfituesve fundorë dhe garantëve nga autoritetet e Inteligjencës. Paketa me dokumente që erdhi rreth një vit më parë hoqi çdo dyshim në institucionet ligjzbatuese.
Marrë nga /Hashtag.al/