Gjekmarkaj: Rama tallet edhe me ambasadorët. Listat, jo vetëm që s’i hap, por i mbyll dhe thotë: I hapa, plasini sytë

Nga Agron Gjekmarkaj-

Errësira gjithmonë e fut nje riun në shtjella paqartësie, ankthi e frike! Sjellje të pashpjegueshme me logjikën, e cila bazohet mbi njohjen dhe traditën ia bashkëngjisim territ. Rëndom themi “iu errësua mendja”, “iu errësua shpirti”.

Me gjasë, Kryeministri ynë po ecën nëpër natë, në një pyll të errët mendimesh pa gjetur asnjë kandil, qiri a fije shkrepëseje për t’i bërë dritë, pak dritë nga ajo që të bën më të mirë, më të arsyeshëm, më njerëzor në vendimmarrjen që ndikon jetën shoqërore të vendit.

Dikush ka ulur çelësin e korentit, Elisa ka harruar vajgurin në shtëpi, Besa ka marrë shkrepësen me vete, Genti ka derdhur ujin e hollë mbi drurë, Ahmetaj ka fshehur eshkën, Gramozi nuk i fryn më, Majko i ngroh duart në xhepa, në vatër nuk ka më prush! Ulsiu, Musai, Damiani, heqin hirin, po zjarr s’ka, as shndrit e as ngroh më dielli i Rilindjes.

Ditmiri shkruan letrën e dytë nën flakëzën e një çakmaku për të lypur faljen e madhe. Me të parën mori një rekomandim për në OSBE. Nga kjo tjetra mbase ia del të bëjë një foto me liderin. E pa që zemërimi dhe krenaria janë një e tatëpjetë e madhe për të shkuar askund.

Edi Rama është vetëm në vendimet që merr, të tjerët as dinë, as bëjnë, thjesht presin pa e vrarë mendjen në bëhen qesharakë, në duken gënjeshtarë, në nxisin dëshirën që ta gjuash ekranin me këpucë kur shfaqen. Fali Zot, fali ata s’dinë, kur u thotë qeshni, qeshin ata qerratenjtë; kur u thotë zymtohuni e përzhituni thëngjill shfaqen ata, kur u thotë gëzohuni kukurima e tyre na tund llambat në shtëpi! Por Kryeministri është në errësirë, ata s’i bëjnë dot dritë!

Gjithmonë, mes egos për të sunduar dhe retorikës për ta fshehur, ka nxjerrë dhëmbët si ato të luanit në shkretëtirë sundimi! I trembur se atij një ditë i vjen fundi, i frikur se jeta pa të hyn në labirinte e mistere, i sigurt që braktiset nga të gjithë mamluket e tij sapo këmba t’i bjerë në kënete ngushtohet dhe aftësia që i ka munguar, ajo për të bërë marrëveshje, vret veten! Kryeministrit i intereson vetëm një gjë: pushteti me çdo mjet, me çdo çmim, me hile, me frikë, me joshje, pa ndërkombëtarë, kundër integrimit, i bindur që ai (pushteti) justifikon vetveten dhe shkruan historinë vetë!

Madje, i intereson të japë ketë mesazh, të atij që nuk ndalet, të atij që vendosmërinë nuk e negocion, të atij që me çdo mjet e arrin qëllimin! Por pa e kuptuar, ai shfaqet një derivat i zbërdhulet i vetvetes! Kësisoj, prish marrëveshjen e 5 qershorit, tall Juri Kimin, Sorekën dhe të tjerë garante, bën një marrëveshje të dytë me anti-opozitën parlamentare, kinse për të hapur listën, por, në fakt, hap thesin e të pavërtetave!

Listat jo vetëm s’i hap, por i mbyll, i mbyll aq shumë sa askush nuk i çan dot dhe vazhdon e thotë i hapa, shikojini sa bukur i hapa, plasini sytë! Na ka ofruar një rrëmujë, një kakofoni dhe absurd si formulë për të numëruar votat me shpresën që këto cilësi do t’i ketë aleatë në fund! Online e ndryshoi Kushtetutën për këtë sihariq të madh, hapjen e listave me një qëllim të vetëm: prishjen e koalicioneve për të dëmtuar sa të mundet opozitën! Në fakt, pasi e bëri, i mbylli listat si gojën e deputetëve të vet! Tani kërcënon se më 1 tetor do miratojë Kodin pa marrë ne konsideratë opozitën dhe mirë bën!

Opozita, për t’u bërë simpatike para ndërkombëtarëve, shkoi në këshill dhe aty u pre në vese nga të gjithë, u gënjye dhe nëpërkëmb! Asnjë ambasador nuk del dot e të thotë qe ne e mbajmë fjalën! Prania e opozitës dhe kolovitjet e saj në atë këshill janë të pakuptimta!

Pas djegies së mandateve dhe mosmarrjes pjesë në zgjedhjet lokale, ajo nuk mund të pretendonte që Edi Rama do të respektonte ndonjë marrëveshje! Ai s’e ka bërë kurrë këtë në pushtet, nuk di ta bëjë, nuk do ta bëjë! Ndaj, ajo (opozita) të prodhojë ngjarjet e veta dhe të mos ndjekë trajektoret e Ramës për pseudoreformën elektorale, shkelja e së cilës i kushtoi injorimin e Gjermanisë dhe ndaljen e procesit të integrimit, për të cilin Rama nuk është aspak i shqetësuar.

Opozita duhet ta lërë në errësirën e tij, por njëkohësisht i duhet të ndezë zjarr të madh që të ndriçohen qytetarët e pse jo edhe Kryeministri për ta kuptuar që 25 prilli është pronë publike dhe mbrohet nga shoqëria. Përndryshe, nata mund të bëhet skenë krimi si në librat e verdhë. Panorama.com.al

SHKARKO APP