Gjergj Luca: Ju tregoj rrugëtimin e tonit nga Mesdheu deri në pjatën tuaj
“Do tu tregoj rrugëtimin e këtij peshku, ku zihet, si vjen, si ushqehet dhe ku shkon, deri te pjata juaj.” Me këto fjalë e nis sipërmarresi i Kompanisë “Rozafa”, Gjergj Luca, këtë komunikim nëpërmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale. Ai synon të jetë i hapur dhe komunikues, duke ndarë jo vetëm informacion të detajuar, por edhe sfidat që ka hasur kjo sipërmarje e guximshme, e cila jo vetëm qëndron si një arritje e kompanisë, por edhe si një shembull për industrinë shqiptare të akuakulturës.
Pas nisjes së sezonit të peshkimit të tonit, Luca vendos të shuajë kureshtjen e ndjekësve duke treguar rrugëtimin e këtij peshku deri në plotësimin e nevojave të tregut vendas dhe eksportet me vulën “Made in Albania”. Me një të folur të drejtpërdrejtë, ai zbulon detaje të procesit të peshkimit dhe përpunimit të tonit, një produkt që shquhet si një nga më të kërkuarit në tregjet botërore.
Një element kryesor që Luca nënvizon në komunikimin e tij është vështirësia e sfidës së peshkimit në Mesdhe. Ai përshkruan betejën e flotave të ndryshme, duke e krahasuar atë me një arenë gladiatorësh. “Nuk mund ta imagjinoni,” shprehet Luca, “se si anijet përplasen me njëra-tjetrën në mes të detit dhe dallgëve, në gjurmim të tufave të tonit dhe kush ta zërë i pari.” Kjo sakrificë dhe ky angazhim i jep një dimension heroik sipërmarjes së “Rozafës”.
Ai përveç këtyre nënvizon se kjo arritje nuk është vetëm një triumf personal apo i kompanisë së tij, por edhe i flamurit shqiptar dhe i gjithë industrisë vendase të akuakulturës. Duke ironizuar, Luca thekson se shpesh promovimi më i madh vjen nga akuzat dhe kritikat, por në fund është cilësia e produktit ajo që flet vetë.
Mesazhi që Luca përcjell është një thirrje për të ndjekur punën, për të vlerësuar sakrificat dhe për të mbështetur produktet shqiptare, që gjithnjë e më shumë po fitojnë njohje dhe respekt në tregjet ndërkombëtare. Videoja fton publikun të kuptojë dhe të ndjejë krenari për një sipërmarje që është jo vetëm ekonomike, por edhe kombëtare.
Albert Vataj