Gjergj Luca, nga furtunat e Mesdheut drejt e në stuhitë e tallavasë politike
Gjergj Luca rikthehet nga sfidat e egra të detrave të Mesdheut, jo për të pushuar, por për të përballuar një tjetër betejë, atë të përgojimeve, shpifjeve dhe akuzave që vijnë jo më nga oqeanet, por nga ca ujëra më të cekëta, rrjetet sociale dhe propaganda politike.
Në një reagim të fortë dhe të drejtpërdrejtë në rrjetet e tij sociale, Luca shkruan:
“Kujtuat se ju harrova? Ja, sapo erdha nga Malta, mendjen te ju e kam! Edhe anijet, edhe skafet, edhe jahtet shqiptare furnizohen me naftë kudo nëpër botë njësoj si këtu te ne. Ashtu siç furnizohen të huajt. Mbajeni mend këtë informacion – nuk u gënjej, se s’jam as portal, as gjobvënës!”
Ky mesazh, i mbushur me sarkazmë dhe tone autentike, shoqërohet edhe me një faksimile zyrtare që vërteton furnizimin ndërkombëtar të flotës “Rozafa”, duke hedhur poshtë akuzat për favorizime apo manipulime në tregun e karburantit. Mes ironisë dhe faktit, ai demaskon absurditetin e përfoljeve që e ndjekin nga pas si hije të një “televizioni të partisë sime”, siç ai e quan me thumb, duke mos ngurruar të përmendë me ngrohtësi edhe një shprehje të dashur shkodrane: “A ju hangsha zemrën!”
Por Luca nuk ndalet me kaq. Në stilin e tij të njohur ku bashkohen humori, zemra dhe përçmimi ndaj mediokritetit, ai i kthehet një tjetër temë që përmendet shpesh për ta etiketuar, tallavaja. Pa u ndjerë i fyer, por i qartë në qëndrim, ai deklaron:
“E kam qejf tallavanë. Dhe po, ma kujtoni shpesh… ndaj po ua kujtoj edhe unë diçka juve: Merruni me njerëzit që punojnë. Merruni me ata që pushojnë. Merruni me ata që duan ta ndërtojnë këtë vend. Shpifni katër herë, humbni katër herë. Boll më me tallava, thoni të vërtetën!”
Mes ironisë së mprehtë dhe revoltës së një njeriu që e ka ndërtuar suksesin mbi djersë dhe jo mbi alibi, ky mesazh nuk është vetëm një përgënjeshtrim. Është edhe një thirrje për dinjitet dhe përqendrim te puna, jo te llafi. Për të, ashtu si për Rozafën, sfidat janë gjithmonë mbi dallgë, qoftë të detit, qoftë të baltës që hidhet nga anijet e shkatërrimit mediatik.
AV
KOHA JONË SONDAZH

