Gjergj Luca, një përshëndetje nga zemra e trashëgimisë shpirtërore, nga xhaminë e Kalasë së Elbasanit
.
Në një ditë të mbushur me takime, vizita dhe përkushtim, sipërmarrësi i njohur shqiptar, Gjergj Luca, ka zgjedhur të ndalet në një nga vendet më të shenjta e më historike të qytetit të Elbasanit – xhaminë e Kalasë, për të përcjellë një përshëndetje të veçantë për besimtarët dhe mikun e tij, imamin Ahmed Kalaja.
I shoqëruar nga një grup miqsh nga Omani, një vend me një kulturë të pasur islame, Luca u ndal për të reflektuar e për t’u lutur në këtë monument të rrallë të trashëgimisë së kultit dhe historisë shqiptare. Ai nuk nguroi të ndante përshtypjet e vizitorëve për qytetin e Elbasanit – një qytet që mishëron harmoninë fetare dhe bashkëjetesën shembullore, që prej shekujsh është krenaria e identitetit shqiptar.
“Një përshëndetje e veçantë nga Elbasani për mikun tim në Tiranë Ahmed Kalaja, pasi u luta në xhaminë e kalasë për kandidaten Edlira Dyrmishaj, e cila garon në zgjedhjet e 11 majit. I dashur Ahmed, të premten tjetër më prit te xhamia juaj në Tiranë, të lutemi bashkë për Edlirën, e cila do përfaqësojë shpirtin dhe logjikën e pastër të besimit të vërtetë në parlamentin e ardhshëm!”, shkruan ai në një postim të ngrohtë e plot frymëzim.
Xhamia e Kalasë së Elbasanit – një dëshmi e hershme e besimit dhe qëndresës
Kjo xhami, e ndërtuar brenda mureve të Kalasë së Elbasanit, daton që nga fundi i shekullit të XV-të dhe i atribuohet periudhës së sundimit të Sulltan Bajazitit II. E njohur si Xhamia Mbret apo “xhamia e sulltanit”, ajo është një nga xhamitë më të vjetra në Shqipëri, duke përfaqësuar jo vetëm trashëgiminë fetare islame, por edhe një nga veprat më përfaqësuese të arkitekturës osmane në trojet shqiptare.
Karakteristikë e veçantë e saj është ndërtimi i bërë pa përdorimin e asnjë elementi metalik, çka e bën këtë objekt të rrallë një mrekulli të mjeshtërisë ndërtimore tradicionale. Minarja prej guri, ndonëse e dëmtuar gjatë regjimit komunist dhe më pas e restauruar, ruan ende hijeshinë e dikurshme. Oborri i saj i hijëzuar, me pemë të lashta dhe atmosfera qetësuese, e bën këtë vend një pikë lutjeje dhe reflektimi për banorët dhe vizitorët.
Xhamia është dëshmi e një kohe kur besimi shfaqej përmes përulësisë dhe harmonisë, dhe jo përmes imponimit. Ajo mbetet një simbol i fortë i trashëgimisë kulturore që shqiptarët, përtej dallimeve fetare, kanë ruajtur me përkushtim, duke shndërruar Elbasanin në një kryqëzim paqeje dhe bashkëjetese.
Nga guri i lashtësisë – një mesazh për të ardhmen
Përzgjedhja e kësaj xhamie për të shprehur përkrahje për një kandidate në zgjedhje, nuk ishte e rastësishme. Ajo vjen si një thirrje për kthimin te vlerat e pastra, te besimi që frymëzon shërbimin publik dhe përkushtimin ndaj njerëzve. Për Gjergj Lucën, lutja është më shumë se një akt shpirtëror – është një akt simbolik, që ndërthur shpirtin e traditës me nevojën për një politikë më të ndershme, më të frymëzuar dhe më njerëzore.
Albert Vataj