Gjobitet me 500 mijë lekë Voltana Ademi për keqmenaxhim të mbetjeve
500 mijë lekë është vlera e gjobës ndaj bashkisë së Shkodrës për mosmenaxhim të situatës së mbetjeve. Ka qenë Inspektoriati Rajonal i Mjedisit në Shkodër, që ndëshkoi kryebashkiaken, pas paralajmërimit të para disa javëve. Situata problematike nga mbetjet paraqitet dhe në zonën turistike të Velipojës.
Pesë milionë lekë të vjetra është gjobitur kryetarja e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi për shkak të keqmenaxhimit të mbetjeve. Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve thotë se mosndërhyrja megjithe paralajmerimet e bëra në drejtim të saj, sollën edhe masën ndëshkimore.
Pak javë më parë ishte vetë kryeinspektori Edmond Tërthorja, bëri me dije se afati i ndërhyrjes për rregullimin e gjendjes ishte 22 shkurti.
Pikërisht 1 javë me pas duke parë mos reagimin e bashkisë, është shkruar edhe gjoba ndaj kësaj të fundit, e cila sic thotë drejtoria rajonale e Mjedisit, mjafton vetëm të dalë në terren për të parë se si po ndotet qyteti nga periferia e drejt çdo njësie administrative.
Gjendja është tejet e rëndë dhe këtë prag sezoni, imazhi që paraqet Shkodra nuk është ai që duhet. Disa herë është pasqyruar gjendja në zona turistike duke ngritur edhe alarmin e përhapjes së ndonjë epidemie, por askush deri më sot nuk ka reaguar.
Bashkia e Shkodrës, ka të drejtë brënda 10 ditësh të ankimojë vendimin, ndërkohe nga ana tjetër, Inspektoriati i Mjedisit në Shkodër, deklaron se këto masa, vijnë për të përmirësuar këtë shërbim ndaj qytetarëve dhe marrjen e masave urgjente për shërbimin e pastrimit.

