Gjykata e Lartë drejt uzurpimit nga Kryeministri
Ajo që po ndodhë këto ditë me reformën në drejtësi është shfaqja më e qartë se ky proces formalisht ka miratimin e ndërkombëtarëve, ndërsa hartuesit dhe zbatuesit e saj janë vetëm përfaqësuesit e qeverisë “Rama”. Më saktë Edi Rama, si kryeministër, e kontrollon gjithë procesin e emërimëve dhe shkarkimëve.
Për të justifikuar gjithë krizën politike dhe ngërçin që ka krijuar me zhbërjen e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama u ka premtuar ambasadorëve se do t’i ngrejë të dy këto institucione në kohë rekord, duke zbatuar sa më shpejt ligjet.
Termi “zbatim i ligjeve” është vetëm një mashtrim ndaj ndërkombëtarëve, sepse qeveria, juristët e PS dhe një pjesë e ekspertëve të reformës në drejtësi, po i modifikojnë dhe shkelin ligjet që janë miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës tre vjet më parë. E thënë thjesht, qeveria “Rama” po i zbaton ligjet e reformës në drejtësi duke shpikur skema të reja, të cilat jo vetëm nuk garantojnë pavarësinë që duan ndërkombëtarët, por e kapin përfundimisht drejtësinë nga një grup njerëzish në Partinë Socialiste.
Imagjinoni të fusë duart në Reformën në Drejtësi një njeri si Ylsi Manja, që u kap nga BILD në blerjen e votave në Dibër!
Rasti më flagrant është mënyra antiligjore me të cilën po tentohet të ngrihet Gjykata e Lartë. Institucioni më i rëndësishëm i drejtësisë sot ka mbetur vetëm me dy anëtarë dhe nuk merr dot asnjë vendim. Në këtë gjykatë janë gati 32 mijë dosje që presin radhën për gjykim dhe vonesat dëmtojnë direkt qytetarët shqiptarë.
Bile nga kjo vonesë po përfitojnë disa banda kriminale të rrezikshme, të cilat lirohen nga mos funksionimi i gjykatës së lartë. A është kjo lojë si një pazar mes qeverisë dhe bandave kryesore kriminale që përfitojnë ligjërisht nga mosngritja e gjykatës së lartë?!
Fakte nuk kemi, por fakti është sa një mal para!
Për shkak se në tre vjet qeveria dhe institucionet e pavarura që kanë marrë përsipër zbatimin e reformës në drejtësi nuk kanë bërë asgjë që kjo gjykatë të plotësohej me gjyqtarë me integritet, nën presionin e ndërkombëtarëve për rezultate, PS dhe kryeministri kanë gjetur një skemë të re antiligjore. Konkretisht propozimi më i fundit kërkon që meqënëse procesi i vetingut dhe kandidaturat për këtë gjykatë po vonohet pa afat, atëhere Gjykata e Lartë duhet të plotësohet me gjyqtarë të përkohshëm.
Pra, gjyqtarë të Apelit ose gjykatave të tjera nuk do të zgjidhen në Gjykatën e Lartë sipas ligjeve të reformës dhe Kushtetutës, por do të delegohen! Do të kryejnë të njëjtat funksione si anëtarët e rregullt të Gjykatës së Lartë, vetëm se do të jenë të “deleguar” dhe jo të zgjedhur siç parashikojnë ligjet e reformës në drejtësi dhe Kushtetua. Në këtë rast, termi shkelje ligjore është pak. Ajo që ka ndërmend të bëjë qeveria “Rama” me anë të Këshillit të Lartë Gjyqësor është rrëzim i gjithë reformës dhe kthimi i kësaj gjykate në aneks të qeverisë. Sepse delegimi është koncept që nuk ka lidhje me drejtësinë. Detyrat delegohen në politikë, por jo në gjykatën më të rëndësishme në vend.
Fatkeqësisht këtë shkelje ligjore e kanë miratuar dhe ndërkombëtarët dhe e quajnë zhvillim normal. EURALIUS, misioni që jep rekomandime për reformën e ka përkrahur skemën e delegimit të gjyqtarëve, një term që nuk e kanë as gjykatat e ulëta në vendet të botës së tretë dhe jo më Gjykata e Lartë që duhet të ngrihej sipas ligjit. Për të kuptuar qytetarët se çfarë do të thotë kjo që kanë ndër mend të bëjnë më Gjykatën e Lartë me delegim gjyqtarësh, mjafton të sjellim në vëmendje procedurat që u ndoqën për Prokuroren e Përgjithshme.
Për shkak se Parlamenti që ka shumicën e PS nuk kishte zbatuar ligjet e reformës dhe Prokurorit të Përgjithshëm i mbaroi mandati, Edi Rama me anë të Ulsi Manjës, propozoi që prokurori i ri të zgjidhej përkohësisht me shumicë të thjeshtë, sa të miratoheshin gjithë aktet ligjore. Ky ishte karremi që Rama përdori ndaj ndërkombëtarëve duke thënë se prokurori i ri do qëndronte maksimumi tre muaj dhe pa kompetenca të plota në detyrë. PS zgjodhi me 69 vota Arta Marku nga 84 vota që përcakton kushtetuta duke marrë dhe miratimin e ndërkombëtarëve.
Sot kanë kaluar dy vjet nga ky vendim dhe Arta Marku vijon të jetë Prokurore e Përgjithshme, e Përkohshme, pa kaluar në filtrat e reformës në drejtësi dhe me kompetenca të plota në detyrë. Prokurori që sipas reformës në drejtësi duhej zgjedhur me standarde të tjera ligjore duket ende shumë larg, ndaj sot ndërkombëtarët janë bindur se Prokurorja e Përgjithshme nuk është më e përkohshme dhe as e paanshme, por nuk kanë ndërmend të flasin.
Heshtje nga mosdija apo nga përzierja me kryeministrin dhe ndonjë ndërkombëtar që shi “lëmin e grurit” në Shqipëri?! Aq me tepër se në Tiranë ka patur shumë prodhime “gruri” nga kanabisi rilindas!
E njëjta skemë po vihet në zbatim dhe me Gjykatën e Lartë e ku ka mundësi delegimi të përdoret më pas dhe në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë mënyrë nuk ka më reformë, por një drejtësi që po kalon e gjithë në duart e Ramës dhe çuditërisht me heshtjen e ndërkombëtarëve.
Po si funksion skema derisa arrrin dhe merr mbështetjen e ndërkombëtarëve? Propozimet për reformën jepen nga grupi i ekspertëve të cilët janë pjesë e shoqatave të shoqërisë që njihen si mbështetës të Edi Ramës. Pra, juristët e Edi Ramës marrin udhëzimet sesi duhet bërë reforma dhe më pas ua kalojnë si mendime të “pavarura” ekspertëve të huaj të EURALIUS.
Këta, të fundit që duket se nuk kuptojnë sesi funksionojnë ekspertët në Shqipëri, u fusin një të përkthyer dhe i dërgojnë në emër të tyre te Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe institucionet e tjera, si qëndrime të ndërkombëtarëve. Në fund Edi Rama del dhe thotë se “unë nuk kam asgjë në dorë, kështu e duan ndërkombëtarët”. Është një skemë që nis nga zyrat e Ramës dhe në fund vjen te Rama si qëndrim ekspertësh ndërkombëtarë. Kështu e zgjodhi dhe Ulsi Manja, Prokuroren e Përgjithshme, me një letër pa firmë dhe vulë nga ekspertët e huaj që thoshin të njëjtën gjë që kish thënë Edi Rama.
Në këtë histori, ndërkombëtarët ose janë të manipuluar, ose u ka ardhur në maj të hundës që ende pas tre vjetësh nuk kanë asnjë produkt nga reforma dhe po mbyllin sytë. Në të dyja rastet, qëndrimi i tyre në vend të sjellë një reformë të paanshme po i dorëzon Edi Ramës kontrollin mbi sistemin e drejtësisë duke e zhbërë gjithë reformën në drejtësi. Shqipërisë nuk i duhet një reformë e manipuluar nga qeveria dhe as një reformë që duhet bërë vetëm që ndërkombëtarët të mos pranojnë se gabuan që ia besuan gjithçka ekspertëve të Ramës.
Vendit i duhet një reformë që mbi të gjitha funksionon e pavarur. Deri më sot kjo gjë nuk është garantuar. Pas Prokurorisë qeveria po fut duart te Gjykata e Lartë, e cila nuk ka vetëm dosje qytetarësh, por edhe proceset ministrave dhe ish-ministrave të qeverisë.
Ndërkombëtarë të Reformës, lutemi të jeni korrekt dhe njëkohësisht vigjilentë, pasi me njëmijë fije kryeministri po e kap krejt Reformën në Drejtësi, çka do ishte fatale për shqiptarët që mezi presin këtë Reformë. Por fatale edhe për emrin Tuaj.
Mili Xhani