Gjyqi ndaj 9 të pandehurve për luftën në Siri, rrezikojnë deri në 15 vjet burg

Prokuroria për Krime të Rënda një ditë më parë njoftoi se mbylli hetimet dhe dorëzoi sot paradite në gjykatë dosjen me 9 të pandehurit e akuzuar, se kanë rekrutuar dhe më pas kanë dërguar rreth 70 besimtarëve muslimanë për të luftuar në Siri. Të arrestuarit, që ishin shpallur imamë, 9 vetë, do të gjykohen për 7 akuza, që nga rekrutimi, nxitja dhe dërgimi i personave në luftë, nxitje të urrejtjes edhe për akuzat e armëmbajtjes pa leje, si dhe municioneve luftarake. Nga akuzat e ngritura ata rrezikojnë të dënohen me burg nga 5 deri 15 vjet.  Në përfundim të hetimeve, prokurori thotë se 9 të pandehurit duke shfrytëzuar bindjet fetare ekstreme të një grup të caktuar njerëzish kanë arritur të bindin gjatë aktivitetit të tyre me dhjetëra  shqiptarë që të bashkohen disa grupeve terroriste në Siri. Sipas prokurorisë, dy imamët e vetëshpallur Genc Balla dhe Bujar Hysa predikonin në xhamitë e tyre respektivisht, atë të Unazës së Re dhe fshatit Mëzez, që nuk kishin lidhje me Komunitetin Musliman në Shqipëri, por sipas hetimeve, synonin për të bindur besimtarët e tyre, se lufta që bëhej në Siri ishte një kauzë e drejtë dhe bëhej në emër të Allahut ndaj dhe çdo musliman i devotshëm e ka për detyrë të ndihmojë në këtë luftë. Prokuroria pretendon se imamët kanë rekrutuar disa persona si Fadil Muslimani, Orion Reçi e Verdi Moravën për të gjetur vendin e ndërtimit të këtyre xhamive dhe më pas nxitjen e besimtarëve muslimanë për të shkuar në luftë në emër të xhihadit. Të pandehurit Astrit Tola dhe Zeqir Imeri  ndihmonin imamët e vetëshpallur për kryerjen e punëve të ndryshme si dhe gjetjen e personave për t’i dërguar në luftë. Zeqir Imerit iu gjetën edhe municione në banesë, sipas organit të akuzës. I besuari i dy imamëve dhe personi që priste dhe i niste drejt Sirisë besimtarët shqiptarë me të mbërritur në Turqi është Gerti Pashja dhe ndihmësi i tij Edmond Balla. Nga Gjykatës për Krime të Rënda do të gjykohen vetëm të pandehurit e arrestuar në Shqipëri. Për personat e shpallur në kërkim, Shyqyri Kaca, Almir Daci, Medi Manellari dhe Shkëlzen Dumanin, është veçuar dosja dhe do të vazhdojnë hetimet. Sakaq, Dumani dyshohet se është vrarë gjatë luftimeve në Siri.

SHKARKO APP